Maria Thanas, tutorja e disa vajzave që shfrytëzoheshin për prostitucion nuk është një emër i panjohur për policinë. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se 26-vjeçarja me origjinë nga Korça, është proceduar disa herë më parë për prostitucion. Por, në këto raste ajo ka qenë e shfrytëzuar nga të tjerë persona. Fillimisht ajo është shfrytëzuar për prostitucion nga një rrjet që u shkatërrua në tetor të vitit të kaluar nga policia e Tiranës. Në muajin tetor të vitit të kaluar, blutë e kryeqytetit kanë bërë të ditur se 26-vjeçarja, është shpëtuar nga trafikimi i saj në Gjermani, ku do të shfrytëzohej së bashku me një vajzë tjetër. Trafikimi i vajzave kryhej me anë të taksive drejt Kosovës, ndërsa e përfshirë ishte edhe një shtetase rumune me banim në Gjermani. Në atë kohë, policia arrestoi 5 persona, ndërsa 2 vajzat u proceduan në gjendje të lirë për shkak se ishin viktima të trafikut. Gjatë kryerjes së hetimeve ndaj këtij grupi, Maria Thanas është proceduar në gjendje të lirë për prostitucion.

Por mesa duket, 26-vjeçarja nuk ka hequr dorë nga ky aktivitet i paligjshëm. Ajo mësohet gjithashtu se është mbajtur për disa kohë nën vëzhgim, çka ka sjellë edhe zbulimin e këtij rrjeti prostitucioni që u zbulua dy ditë më parë. Maria i është rikthyer aktivitetit të paligjshëm me një tjetër grup që operonte në kryeqytet, por këtë herë, jo më si punëtore seksi por si organizatore dhe tutore që rekrutonte vajza dhe negocionte për tarifat. Pagesat varionin nga 50 deri 250 euro dhe shërbimi ofrohej edhe në grup, si në rastin e arrestimeve në flagrancë që policia e Tiranës zhvilloi gjatë operacionit “Free Time” në një hotel në periferi të kryeqytetit.

Grupi i prostitucionit

Ndërkohë, burimet bënë të ditur se 26-vjeçarja kishte rolin e tutores për vajzat e tjera që shfrytëzoheshin nga grup. Në bazë të hetimeve të kryera nga sektori i trafiqeve të paligjshme në Policinë e Tiranës, janë të paktën 5 studente të cilat janë shfrytëzuar.

Sipas policisë, organizatorët përfitonin nga gjendja ekonomike e dobët e vajzave për t’i futur në rrjet. Kryesisht grupi punonte me shtetas italian të cilat menaxhojnë në Tiranë bizneset e Call Centereve. Deri në 100 euro paguhej për një natë me vajzat. Ndërsa në rastet kur vajzat binin dakord dhe kryenin seks në grup me dy ose tre klientë pagesa shkonte deri në 250 euro. Sakaq, komunikimin me klientët e kryente Maria Thanasi dhe D. Sharra, ky i fundit menaxher i një hoteli në afërsi të prokurorisë së përgjithshme. Në pranga u vunë edhe 5 persona të tjerë të akuzuar për trafikim të personave të rritur dhe shfrytëzim prostitucioni. Operacioni Operacioni “Free time” u godit pas hetimeve katër mujore nga Policia e Tiranës. Grupi kriminal mësohet se drejtohej nga 26-vjeçarja, Maria Thanasi, e cila ishte tutorja e vajzave që shfrytëzoheshin për prostitucion. Aktiviteti i këtij grupi ushtrohej kryesisht në zonën e Liqenit të Thatë, në hotel. Ndërkohë, pronarët apo administratorët e këtyre hoteleve janë shprehur në polici se nuk kishin dijeni se çfarë aktiviteti kryenin personat nëpër dhoma.

Ata kanë pranuar që personat në fjalë kanë qenë klientë të rregullt. Sakaq, klientët e shumtë të këtij grupi ishin biznesmenë, kryesisht italianë që operojnë në biznesin e Call Center, në Tiranë. Procedimi penal për këtë grup ka nisur që në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe përgjatë gjithë kohës është mbajtur nën vëzhgim. Mbrëmjen e së martës kur edhe është bërë ndërhyrja e policisë, tre meshkuj u kapën teksa kryenin marrëdhënie seksuale në grup me një femër. Ajo ishte ofruar kundrejt një pagese prej 50 eurosh për secilin. Në kërkim janë shpallur 3 persona, organizatorë të rrjetit, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, burimet theksojnë se ky grup përdorte gjatë aktivitetit edhe lëndë narkotike kokainë. Organizatorët e grupit Maria Thanas dhe M. Çela, siguronin lëndën narkotike te persona të tjerë dhe ua shisnin personave që kërkonin shërbim seksual. Klientët ishin ata që kërkonin lëndën narkotike e cila sigurohej nga organizatorët e grupit dhe që e blinin me një çmim të konsiderueshëm.

Të arrestuarit

Më datë 21.03.2017, është bërë e mundur finalizimi i operacionit “Free Time”, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë, të shtetasve: M. Thanas, 26 vjeçe, banuese në Tiranë; M. Çela, 38 vjeç, banues në Tiranë; D, Haka, 34 vjeç, banues në Tepelenë; R. Zhitoni, 39 vjeç, banues në Tiranë; K. Zhilla, 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”; D. Sharra, 27 vjeç, banues në Tiranë. Është proceduar në gjendje të lirë shtetasja: T. Gj., 27 vjeçe, banuese në Tiranë dhe janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet B. O.; E. I., dhe F. Sh., për veprën penale të “Shfrytëzimit të Prostitucionit”. Në kuadër të këtij operacioni është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të mësipërm, të cilët në kohë dhe vende të ndryshme në qytetin e Tiranë kanë shfrytëzuar, ndërmjetësuar dhe marrë pagesa për prostitucion në vlerën që varionin nga 50-100 euro.

/Shekulli/