17gusht 2015 – Siç ishte parashikuar nga prokuroria, Orialda Kajtazi, motra e madhe e cila u arratis bashkë me Klevisën 14 vjeçe, u la në burg. Gjykata e Durrësit vendosi këtë masë për 18-vjeçaren, e akuzuar për shkatërrim të pronës me zjarr dhe vjedhje. Ndërsa për të voglën, u vendos masa e detyrimit të paraqitjes, duke u liruar nga prangat, jo vetëm për shkak të moshës, por edhe se rezulton që i gjithë plani është organizuar nga Orialda. Gjatë seancës gjyqësore, dy motrat nuk i kanë shkëputur duart nga njëra-tjetra, ndërsa në fund Klevisa Kajtazi ka nisur të qajë, pas ndarjes nga e motra.
Historia e dy motrave Kajtazi, nga Spitalla e Durrësit nisi më 16 korrik, kur ato u zhdukën në rrethana misterioze. Ato kishin provokuar helmim të prindërve dhe motrës së madhe me ilaçe gjumi dhe nga frika e policisë organizuan planin e arratisjes, pasi vodhën kursimet e shtëpisë dhe i vunë flakën banesës për të humbur gjurmët.
Gjatë rrëfimit të tyre pas ndalimit, asnjë nga vajzat nuk ka dashur të kthehet në shtëpi, pasi i akuzonin prindërit dhe motrën për keqtrajtim të vazhdueshëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





