Shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela” në Durrës hapi dyert sot për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për t’i njohur ata nga afër me laboratorët dhe ambientet e saj, ku aktualisht mësojnë mbi 1200 gjimnazistë.
Orientimi i të rinjve drejt arsimit profesional mund të shërbejë si një garanci më shumë për të përvetësuar një profesion mjaft të kërkuar në tregun e punës.
Vizitorët mund ta shihnin nga afër shumë nga projektet dhe punimet më të mira të nxënësve të kësaj shkolle, realizuar gjatë vitit të fundit.

Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë vajza kanë nisur të frekuentojnë arsimin profesional. Për të afruar edhe më shumë nxënëse të reja nga shkollat 9-vjeçare, në katin e dytë të gjimnazit “Beqir Çela” po zhvillohej sot projekti “Dita e vajzave”. Gledia Bardhi është një prej nxënëseve që 3 vite më parë zgjodhi degën e informatikës për të studiuar. Sot ndihet shumë mirë me zgjedhjen e bërë dhe fton shumë vajza të vogla që të zgjedhin arsimin profesional për formimin e tyre të ardhshëm.
E njohur si një nga shkollat më të mira profesionale në shkallë vendi, “Beqir Çela” synon të kthehet së shpejti në një kampus të arsimit profesional. Me 5 degët që ofron, shkolla përgatit gjatë viteve të shkollimit dhe praktikave profesionale në biznese, zanatçinjtë e së ardhmes.
M.B.