E shohim çdo ditë në ekranin e “Vizion +”, në programin “NEXT”, i cili tashmë ka krijuar profilin e vet në tregun mediatik, si një program rinor me një formulë të suksesshme. E pëlqejmë atë jo vetëm për pamjen e ëmbël dhe buzëqeshjen, por edhe për këngët e bukura dhe për kontributin, para dhe pas skene, në një program të përditshëm dhe tepër impenjativ.
Në fakt, me krijimin e kanalit të ri në “TRING”, që quhet “LIVING” dhe i dedikohet 100% stilit të jetesës, Orinda e ka gjetur veten të angazhuar edhe aty, jo vetëm me programe por edhe me spote të ndryshme, pasi dihet që ajo është imazhi i platformës TRING prej shumë vitesh tashmë. Pak javë pasi Huta mbylli sezonin e parë në programin “WEDDING” në “LIVING”, i cili u transmetua edhe në “Vizion +” dhe pati shumë sukses, ky fundvit e gjen të angazhuar në një tjetër projekt po aq ambicioz.
“LIVING CHRISTMAS” quhet programi që do të transmetohet duke filluar nga dita e sotme në “LIVING”. Qëllimi i këtij programi është përjetimi në maksimum i festave të fundvitit, me të gjitha detajet që i bëjnë këto festa aq të dashura për njerëzit në mbarë botën. Në “LIVING CHRISTMAS” do të flitet për kuzhinë, punime origjinale me dorë, filma, muzikë, kuriozitete, etj. Nëse doni të dini se si është të jetosh Krishtlindjet me Orindën, ndiqni programin e saj më të ri në televizion. Ndërsa, në rast se doni të mësoni se ku do t’i kalojë biondja me sytë e shkruar festat dhe se çfarë planesh ka ajo për vitin e ri, lexoni “Bluetooth”. Kështu pra, Orinda na ka treguar se do të jetë në punë deri në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, me përjashtim të darkës, e cila do ta gjejë në krahë të Turit, njeriut të saj të zemrës.
“Unë jam në punë edhe më 31, por do të organizojmë diçka në darkë bashkë me Turin për ta pritur sa më bukur ndërrimin e viteve”, – thotë Huta, e cila na zbulon se 2013-ta do të jetë viti i rikthimit të saj në muzikë. “Mjaft është mjaft. Tani ka ardhur momenti të kthehem në muzikë”, rrëfen ajo, duke na zbuluar edhe një detaj tjetër interesant: “Këtë vit u kthehem edhe festivaleve”.