Mbrëmja e së mërkurës në amfiteatrin e Durrësit iu kushtua muzikës klasike. Orkestra e harqeve e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” nën dirigjimin e maestros Petrika Afezolli dha koncertin e parë pas periudhës së tejzgjatur të pandemisë.
“Ave ad amicis absentis” (Për miqtë e munguar) ishte koncerti që erdhi si homazh për viktimat që shkaktoi Covid-19. Në hapje të tij, aktorja e njohur Mimoza Marjanaku, nënvizoi se:
” Para 1 viti e gjysëm filluam të dëgjonim një emër të pa dëgjuar më parë, një fjalë që tingëllonte si kod hapsinorë, COVID-19. Askujt nuk do ia merrte mendja që do të sjellte kaq shumë të këqija, në fillim erdhi si paralajmërim, më pas si detyrim dhe çdo ditë si kufizim. Normalja u kthye ne anormale.”
Dirigjenti Afezolli shpjegon për “DurrësLajm” se për herë të parë në këtë koncert u interpretua vepra e kompozitorit të njohur grek Nicholas Papadimitriou, “COVID-19”. Orkestrimi i kësaj vepre u realiza apostafat për Orkestrën e Harqeve të Durrësit nga i mirënjohuri Alqi Lepuri.
Pjesa e parë e koncertit të Orkestrës së Harqeve iu kushtua shumë prej njerëzve të artit që nuk janë më në jetë.
“Unë përfshiva emrat e njerëzve të artit shumë të njohur dhe që kanë spikatur dhe që kanë dhënë kontribute të veçanta për Durrësin, duke filluar që nga Gjergj Vlashi, duke vazhduar me Guljelm Radonë, pastaj me bashkëpuntorët tonë të orkestrës Ili Rekën, kolegun tim të Akademisë së Arteve, Andrea Canaj, bashkëshorten e Ylli Ramzotit Teutën, që pikërisht gjithë tonet dhe imazhet janë për të.”
“Por përveç dhimbjes për miqtë e munguar, të ndarë nga jeta, jeta vazhdon”,- thotë dirigjenti Afezolli. Në pjesën e dytë të koncertit u interpretua një vepër e kompozitorit durrsak Moni Kuriçi.
Koncerti i radhës i orkestrës së harqeve të Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” është më 4 korrik.