Mbrëmjen e djeshme Orkestra e Harqeve e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” nën dirigjimin e maestros Petrika Afezolli dha koncertin e radhës në kuadrin e festave të fundvitit.
Dirigjenti Afezolli tha për “DurrësLajm” se e veçanta e këtij koncerti ishte pjesëmarrja e jashtëzakonshme e Divës shqiptare të teatrit të operas dhe baletit Eva Golemi.
“E veçanta është pjesëmarrje e këngëtares së njohur, e divës shqiptare Eva Golemi, që shënon cilësi në këtë eveniment të rëndësishëm në rrugëtimin e kësaj orkestre, sepse 3 arjet e kënduara nga Eva ishin i një profil të lartë artistik që në bashkëpunim me orkestrën dhe solistit pati një organizim shumë të mirë.”,- tha Afezolli.
Futja e disa numrave të rinjë me kuintet fryme të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, sipas Afezollit krijuan një tjetër profil që i dha shumë vlerë koncertit.
Ndërkohë, reporterit të valceve mbrëmjen e djeshme, iu shtua edhe valsi “Patinatorët”, i kopozitorit francez, Emile Waldteufel, i cili u interpretua për herë të parë në Shqipëri.
“Më e veçanta e të gjithë aktivitetit ishte valsi “patinatorët”, për herë të parë që luhet në Shqipëri, e kopozitorit francez Emile Waldteufel. Një vepër jashtëmase e këndshme, shumë brilante, me efekt që orkestra e përcolli falë një përshtatje që u bë për këtë formacion nga kolegu im.”– tha dirigjenti.
Tradita shumë vjeçare e kësaj orkestre prej gati 41-vjetësh është një vlerë reale e qytetit tonë në historinë shumë shekullore të Durrësit.