Instrumentistët profesionistë i rikthehen skenës së qytetit bregdetar duke krijuar premisat për një traditë afatgjatë

Për të dytën javë rradhazi maratona “E enjtja muzikore” solli në sallën e odeonit “Nikolin Xhoja” instrumentistë profesionistë. Këtë herë muzika e Devienne-t, Mozartit apo Vivaldit erdhi e interpretuar me mjaft mjeshtëri artistike nga kuarteti i harqeve të Radio Televizionit Shqiptar. Dy solistët, Pirro Sota (fagot) dhe Sokol Toto (klarinetë), të shoqëruar nga violinistet Marisa Hatibi, Alma Seferaj dhe Dorina Koçi si dhe violinçelisti Andi Alimemaj krijuan në sallë një atmosferë mjaft të ngrohtë që u prit mirë nga publiku në sallë. Ky koncert i muzikës së dhomës, i interpretuar nga instrumentistë profesionistë, tregoi se Durrësi po i rikthehet traditës së bukur së 22 viteve të kaluara, atëherë kur qyteti bregdetar ishte kthyer në një pikë takimi për instrumentistët nga i gjithë vendi që vinin e performonin veprat më të mira të kompozitorëve botërorë.

Tradita e bukur e krijuar këtë vit nga nxënësit e shkollës “Jan Kukuzeli”, mësuesit e tyre dhe në veçanti drejtoresha e kësaj shkolle Nevila Kalaja, promotorja e kësaj veprimtarie artistike, tregoi se interesimi i durrsakëve për koncertet e muzikës së dhomës është i madh. Megjithëse shkolla artistike e qytetit në gjithë këtë maratonë mbajti barrën kryesore vlen të theksohet se në edicionin e rradhës të këtij aktiviteti duhet të alternohen performancat e instrumentistëve profesionistë me ato të nxënësve të shkollës që janë ende në hapat e parë të rrugës së tyre drejt artit. Kjo gjë do ta rriste edhe më shumë nivelin e performancës artistike e në të njëjtën kohë do t’i ofronte artdashësve durrsakë shfaqje artistike me nivel të lartë interpretativ. Ndërsa edicioni i këtij viti i kësaj maratone është drejt fundit gazeta “Dyrrah” mblodhi opinionet e disa prej muzikologëve më të njohur të qytetit lidhur me këtë aktivitet, arritjet dhe çfarë mbetet për t’u përmirësuar në të ardhmen.



 

Ylli Ramzoti, kompozitor

“E enjtja muzikore”, një ogur i mirë për qytetin

Rikthimi i aktivitetit artistik “E enjtja muzikore” është një eveniment i rëndësishëm për qytetin e Durrësit. Në të njëjtën kohë këto shfaqje kanë bërë të mundur evidentimin e talenteve të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, që për fatin tonë të mirë nuk janë të pakët. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur koncerte mjaft të arrira dhe ky i fundit, i kuartetit të harqeve të RTSH-së, i përbërë nga disa prej instrumentistëve më të mirë të vendit është pika kulmore e këtij aktiviteti. Gjithashtu do doja të theksoja se ngjitja në skenë dhe përballja me publikun e nxënësve të shkollës artistike është një ogur i mirë në rradhë të parë për qytetin që po fiton disa instrumentistë të rinj dhe në rradhë të dytë për vetë këta instrumentistë të rinj që tashmë nuk mbeten vetëm në statusin e thjeshtë të nxënësit, por nisin të mësohen me rrugën e re që ata kanë zgjedhur të ndjekin, rrugën e bukur, por dhe mjaft të vështirë të artit. 



 

Petrika Afezolli, dirigjent

Kjo traditë duhet mbështetur financiarisht

Rikthimi i së “Enjtes muzikore” është rikthimi tek një traditë që Durrësi e ka pasur. Perspektiva është që të gjendet moduli dhe të krijohet mundësia që kjo traditë të ecë përpara. Kjo që kemi ndjekur këto muaj është vetëm një zgjidhje rastësore. Vërtet deri tani drejtuesit e qendrës kulturore i kanë krijuar mundësinë qoftë intrumentistëve durrsakë e qoftë atyre nga rrethet që të vijnë dhe të performojnë këtu, por kjo është vetëm struktura. Vëmendje i duhet kushtuar menaxhimit e këtu nuk kam parasysh menaxhimin teknik, por dhe aspektin financiar të këtij aktiviteti, prandaj në këtë drejtim kërkoj mbështetjen dhe përkrahjen e pushtetit lokal. Të kesh të tillë instrumentistë që vijnë e performojnë në Durrës nuk është pak, është një gjë me mjaft vlerë.

Ky aktivitet mund të paraqesë një perspektivë mjaft të mirë edhe për turizmin, qoftë atë të dimrit, apo të verës. Prandaj akordimi i një shume sado modeste për vazhdimin e kësaj tradite në mënyrë profesionale do të përbënte një stimul me mjaft vlera për jetën artistike të qytetit. Këto të enjte muzikore nuk duhet të peshojnë vetëm mbi shpatullat e shkollës “Jan Kukuzeli”, sepse sado dëshirë të ketë kjo shkollë nuk është një institucion që prodhon një produkt me një cilësi mjaft të lartë në këtë lloj muzike. Infrastruktura e aktivitetit është ngritur, tashmë duhet realizuar mbushja e tij me elementë cilësorë. 



 

Pirro Sota, instrumentist

Durrësi i është rikthyer traditës së dikurshme

Unë kam 24 vjet që jam pjesë e orkestrës së RTSH-së, por dua të theksoj se ndjej vërtet emocione mjaft të forta kur performoj në qytetin tim, pasi interpretoj para artdashësve të mi dhe pres me ankth reagimin e tyre. Duke u ndalur tek “E enjtja muzikore” mund të them se shumë pak koncerte të saj kam lënë pa ndjekur dhe më vjen mirë që Durrësi iu rikthye edhe njëherë traditës së bukur të para viteve ’90.

Ai aktivitet ka qenë një përvojë mjaft e mirë për të gjithë instrumentistët e atëhershëm që vazhdojnë t’i kujtojnë me nostalgji ato vite. Më vjen shumë mirë që drejtuesit e qendrës kulturore dhe i gjithë stafi pedagogjik i shkollës “Jan Kukuzeli” me në krye drejtoreshën Nevila Kalaja realizuan këtë sipërmarrje të rëndësishme artistike. Shpresoj që në të ardhmen të shoh në këtë sallë sa më shumë instrumentistë profesionistë, pasi ata do të jenë një shtysë e fortë edhe për brezin e ri.



 

Sokol Toto, instrumentist

Konkurenca mes profesionistëve rrit nivelin artistik

Ndihem shumë i kënaqur kur marr pjesë në këto lloj aktivitetesh, sepse shoh që shumë njerëz i ndjekin me mjaft interes. Sidomos do të veçoja këtu qytetin e Durrësit, i cili ka spikatur gjithmonë me publikun e tij artdashës, që merr pjesë dhe i ndjek rregullisht këto lloj aktivitetesh. Është krijuar një traditë shumë e mirë me sa shoh dhe pjesë e këtyre të enjteve muzikore duhet të bëhen jo vetëm instrumentistët durrsakë apo ato nga kryeqyteti, por edhe nga rrethet e tjera të vendit sepse duke konkuruar instrumentistë profesionistë, rritet vetvetiu konkurenca, rritet dhe cilësia e këtyre koncerteve duke i ofruar kështu publikut shfaqje me nivel të lartë artistik.



 

 

“E enjtja muzikore”, recital i pedagogëve

Siparin e koncerteve me instrumentistë profesionistë e hapën dy nga pedagogët më të mirë të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Pasi provuan për javë me rradhë emocione të shumëfishta, ndërsa shihnin në skenë nxënësit e tyre, një javë më parë violinisti Arben Diko dhe pianistja Ilda Mema erdhën së bashku para artdashësve durrsakë në një koncert recital. Me një repertor të përzgjedhur me kujdes nga kompozitorët më të famshëm botërorë si Moxart, Cajkovski, Prokovief, Brams etj, Diko dhe Mema arritën të emociononin publikun me interpretimin e tyre mjaft të ndjerë. Kjo eksperiencë e parë së bashku, e Dikos dhe Memës, nuk do të jetë e fundit, pasi siç rrëfejnë ata vetë synojnë të realizojnë recitale të tjera, ndoshta duke nisur që nga muaji gusht.

Në të njëjtën kohë, Durrësi nuk do të jetë ndalesa e tyre e vetme, sepse ata kanë planifikuar të zhvillojnë një tur nëpër disa qytete të vendit si Shkodër e Korçë për ta përmbyllur më pas në Tiranë. Gjatë karrierës së tij artistike violinisti Diko ka dhënë koncerte recitale me disa nga pianistet më të njohura të vendit tonë si Nora Çashku, Anita Tartari, Aksinja Xhoja etj. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e orkestrës simfonike të Oshavës dhe Thunder Bay, në Kanada. Ndërkohë përsa i përket pianistes së re Ilda Mema, një nga arritjet më të rëndësishme në karrierën e saj artistike të deritanishme është diplomimi i saj me Medalje Ari në Akademinë e Arteve dhe diplomimi me nota maksimale në universitetin e muzikës TSAKALOF, në Greqi. Ajo është aktivizuar shpeshherë në ansamblet e muzikës së dhomës në koncerte të ndryshme si dhe ka realizuar 12 koncerte recitale solo.



 

Takim me kinemanë italiane

Lista e filmave që do shfaqen në teatrin “Aleksandër Moisiu”

 

06/06/2012 – Ma che ci faccio qui  (Francesco Amato, 2006)

13/06/2012 – Seconda notte di nozze (Pupi Avati, 2005)

20/06/2012 – Se fossi in te (Giulio Manfredonia, 2001)

27/06/2012 – Caravaggio (Angelo Longoni, 2007)

04/07/2012 – Il papa di Giovanna (Pupi Avati, 2008)

11/07/2012 – Cento chiodi (Ermanno Olmi, 2007)

18/07/2012 – Viaggio chiamato amore (Michele Placido, 2002)

25/07/2012 – Mai più come prima (Giacomo Campiotti, 2005)

01/08/2012 – Apnea (Roberto Dordit, 2007)

08/08/2012 – Mater natura (Massimo Andrei, 2006)

15/08/2012 – Se devo essere sincera (Davide Ferrario, 2004)

22/08/2012 – L’abbuffata (Mimmo Calopresti, 2007)

29/08/2012 – Generazione mille euro (Massimo Venier, 2009)