Salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit mbrëmjen e kaluar ishte mbushur me artdashës të ftuar për të ndjekur një koncert me muzikë të përzgjedhur nga dy Amerikat. Për të tretën herë në pak vite orkestra e dirigjentit Petrika Afezolli sjell një program të veçantë për dëgjuesit durrsakë.

Me orkestrim të violonçelistit Moni Kuriçi, formacioni i harqeve "Aleksandër Moisiu" drejtuar nga Afezolli intepretoi një buqetë me vepra të shkurtëra, kryesisht muzikë tradicionale apo të autorëve të njohur nga Amerika Latine dhe Amerika e Veriut.

Fagotisti i orkestrës sinfonike të RTSH, Pirro Sota provoi mbrëmjen e kaluar forcat me saksofonin, duke sjellë me shumë sukses muzikë të zgjedhur, që u përmbyll me “Besame mucho” (Puthmë shumë), shkruar në vitin 1940 nga kompozitori meksikan Consuelo Velasques.

Koncerti morri një ngjyrë të këndshme edhe falë shoqërimit në tastierë dhe harmonikë nga Andi Trungu, veçanërisht në “Adios Nonino” nga Astor Piazzolla (1959).

Orkestra që përbëhet kryesisht nga instrumentistë, mësues të shkollës “Jan Kukuzeli”, tingëlloi natyrshëm përballë partiturave me muzikë mjaft të njohur për dëgjuesit, një provë tjetër e interpretimit dinjitoz të formacionit durrsak.

G.K.