Orkestra Frymore e qytetit të Durrësit, pjesë e Qendra Kulturore “A.Moisiu”, nderohet me Çmimin e Dytë në Takimin Ndërkombëtar të Orkestrave Frymore në Shkodër.

Kjo është një tjetër arritje, pas asaj të Orkestrës së Harqeve në Elbasan.

Shkodra, qyteti ku u krijua orkestra e parë frymore në Shqipëri, u bë mikpritëse e Takimit Ndërkombëtar të Orkestrave Frymore.

6 grupet nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, për dy ditë me radhë, e kthyen qytetin në një shesh të madh feste ku bashkë me shkodranët festuan edhe turistët e shumtë.

“Bashkimi i bandave nga vendet e tjera të Ballkanit është një tregues shume i mirë për të ardhmen e rajonit tonë. Shpresoj që muzika të përcjellë atë mesazh i cili për të gjithë është shumë i nevojshëm dhe vendi ynë ka shumë nevojë”, tha dirigjenti i Orkestrës Frymore Durrës, Samir Kalaja.

“Tradita, historia dhe trashëgimia jonë për kulturën dhe artin është ajo që ne po shijojmë sot. Do mundohemi t’i forcojmë edhe më shumë, ta rikthejmë edhe më shumë. Këto janë disa ngjarje të rëndësishme për qytetin të cilat do të vijnë duke u shtuar. Mendoj se kanë vendin e tyre këtu sepse Shkodra është vendi i muzikës”, tha Benet Beci, kryetar i Bashkisë Shkodër.