Itali, 6 prill 2014 – Ornela Muti rrezikon të dënohet për mashtrim dhe të paguajë një gjobë ndaj teatrit “Verdi”, në Itali. Aktorja italiane akuzohet se ka mashtruar teatrin, duke u hequr si e sëmurë për të mos u paraqitur në skenë në vitin 2010. Gjyqtarët nuk i besuan certifikatës së saj mjekësore, duke hetuar më shumë rreth “sëmundjes” së aktores.
Më vonë u zbulua se bukuroshja italiane nuk u paraqit në skenën e teatrit për shkak të një darke mondane me kryeministrin rus, Vladimir Putin, në Shën Petërburg. Praninë e Ornela Mutit atje e dëshmojnë edhe disa foto nga darka. Ajo duhet të paraqitet në gjyq për të treguar se çfarë ndodhi saktësisht në vitin 2010, kur dezërtoi skenën. Darka ishte organizuar për bamirësi për fëmijët e sëmurë me kancer.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





