Nga Ilir Babaramo
Të gjithë portalet dhe ekranet e kontrolluara nga Edi Rama u përmbytën nga përroi psiqik i një farë Ornela Vorpsi. Askush nuk e di se me çfarë mjetesh jeton kjo emigrante e kahershme, ndërkohë që propagandistët e Kryeministrisë e shitën si një shkrimtare të famshme. Kishim dëgjuar për VKM të gjithëfarsojshme por se mund të dekretohesh shkrimtar, ca më tepër i shquar nga zyra e qeverisë, nuk na kishte shkuar mendja.
Dy gjëra më ngelën në mendje. E para: e sipërmendura rrëfente eksitimin e saj për Edi Ramën të pashuar ende dhe pas 30 vjetësh. Gati të gjithëve ky lajm nuk mund t'u bëjë përshtypje sepse në portalet shqiptare kërcënimi i Donald Trump që do bombardojë Sirinë fqinjëron me ngjarjen që në plazh një fanse u turr që të puthte Shpat Kasapin.
E dyta që më ngeli si gozhdë e ngulur në tru nga “rrëfimi” është fjalia: Edi Rama magjepsi me artin e tij Parisin. Unë nuk hyj tek ata që besojnë se Rama ka jetuar si clochard diku në një cep të Rive Gauche dhe as që për të mbajtur frymën shiste vizatime pesë euro copa mes Pont neuf dhe Pont des arts. Por që të thuash “magjepsi Parisin” është më shumë se dozë elefanti, që nuk mund ta shtysh as duke pirë katër shishe verë 500 euroshe. Sepse dhe militantja më e thekur e Rilindjes e di që aktualisht Parisi nuk çuditet jo më të magjepset nga një ekspozitë me veprat më të zgjedhura të Pikasos.
Ajo që është jo vetëm për t'u shqetësuar, por dhe për t'ia dhënë ulërimës nuk është se çfarë ndodhi, por ku ndodhi. Do ishte normale që rrëfimin e saj kjo fatkeqe ta kishte bërë në një divan psikanalisti. Por nuk ndodhi kështu. Rrëfimin e saj ajo e bëri në selinë e qeverisë shqiptare, në ambientet e katit të parë. Fiks poshtë zyrës së Kryeministrit, kjo fatkeqe bëri këtë shfaqje para kamerave të thirrura nga zyra e PR të kryeministrisë.
Pak vetë e dinë se gjithë kati i parë i selisë së qeverisë shqiptare është ndarë në dy pjesë. Gjysma është dhënë me PPP një miku të kryeministrit që e ka kthyer në gjelltore, ndërsa gjysma tjetër në një me demek ekspozitë që më shumë si e tillë ngjan me servisin e Çetit në autostradë. Kjo hapësirë shërben si vend spiritizmi si kjo e fundit apo ajo për përkujtimin e Kaso Trebeshinës. Ajo që është tronditëse është fakti se selia e kryeministrisë dhe stafi i tij përdoren si dekor për një delir dhe mitomani të tillë.
PS. Rrëfimi i zonjës në fjalë më kujtoi një dokumentar të TVSH me teto Poliksenin në Korçë, e cila i tregonte gazetares: ja këtu rrinte Enveri, kjo është tavlla e tij e cigareve, ky filxhan i tij i kafesë. Për të qenë i sinqertë deri në fund, teto Polikseni në asnjë çast nuk tha se Enveri “magjepsi” Korçën. Prandaj kjo e Ramës që “magjepsi Parisin” ishte një dozë elefanti për opinionin publik.