DURRËS, 20 nëntor 2014 –  Mariner, ortaku maltez i koncesionarit turk të terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit (në foto) bleu 100 për qind të aksioneve shtetërore të portit polak të Gdansk-ut.

Mediet polake njoftuan, më 20 nëntor 2014, se Autoriteti Portual i portit polak të Gdansk-ut përfundoi negociatat, duke arritur një marrëveshje me kompaninë malteze  Mariner Capital Limited, për privatizimin e tij, duke blerë 100 për qind të kapitalit aksionar të ndërmarrjes së logjistikës / përpunimit të mallrave. 

Përmendet fakti se kompania e madhe e terminaleve të kontejnerëve  Mariner e Maltës zotëron  Baltic Container Terminal (BCT) në Riga, Letoni qysh nga viti 1996;  Terminal Intermodale Venezia (TIV) në Venecie, Itali, me një joint venture qysh në vitin 2002 dhe ka 48 për qind të aksioneve në  Durrës Container Terminal (DCT) qysh nga viti 2011 (Durres Kurum Shipping ka 10 200 aksione ose 51 për qind të numrit gjithsej, Mariner 9.600 aksione ose 48 për qind të paketës, kurse Global Liman Isletmeleri  ka 200 aksione ose 1 për qind).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/