Rruga në Qafë Thore është bllokuar pas riaktivizimit të rënies së ortekëve, si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndikimit të rrezeve të diellit në shpatin malor. Sipas njoftimit të kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ortekët kanë mbuluar segmentin rrugor pranë tuneleve panoramike, në zonën rreth kilometrit të 5.5 të aksit.
“Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët. Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë” shkruan Beci në Facebook.





