DURRES, 5 maj 2013– Sot, besimtarët ortodoksë në mbarë botën kremtojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit.

Dita e Pashkëve ortodokse nuk përkon me atë të Pashkëve katolike, pasi Kisha ortodokse ndjek kalendarin julian, jo atë gregorian.

Për Kishën ortodokse, Pashka është festa më e rëndësishme që kremtohet në familje ose me miq.

Në orën 10. 00 poltikanët pritet të vizitojnë Kishën Ortodokse dhe të takojnë Kryepeshkopin e kishës ortodokse Autoqefale  Shqiptare Anasasta Janullatos nga ku do të urojnë gjithë besimtarët ortodoksë për festën.

Presidenti Nishani në një komunikatë për media ka uruar të gjithë besimtarët Ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve. Në fjalën e tij Presidenti, i cili uron Pashkët për herë të parë si President duke e cilësuar këtë si një privilegj të madh për të ka thënë: Është ndjesi dhe kënaqësi nga më të veçantat dhe më të rrallat për mua, si njeri, si qytetar, si President, t'ju uroj juve Pashkët. Jo çdo President ka privilegjin, nderin, rastin, sigurisht dhe fatin, si dhe padyshim kënaqësinë, të urojë eventet rituale të disa besimeve. Presidenti i Shqipërisë është nga të rrallët që e ka këtë privilegj.

Mesnatën e kaluar është mbajtur mesha e shenjtë e Pashkëve në kishat ortodokse në Shqipëri.  Në Katedralen ortodokse të Tiranës, kryepeshkopi ka mbajtur meshën për besimtarët që ndoqën ceremoninë. "Duke kremtuar Pashkën, ftohemi në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati, që shpesh është i vështirë për t'u dalluar. Në kohët e sotme do të thotë largim nga korrupsioni e gënjeshtra, paligjësia e mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore", tha në fjalën e tij kryepeshkopi Anastas. Meshat e shenjta janë mbajtur në të gjitha kishat ortodokse të Shqipërisë. Besimtarët nisën ceremonitë e Pashkëve që të premten, e quajtur dhe e premtja e zezë e deri në mesnatën e djeshme.

Gjatë gjithë Javës së Madhe janë ndjekur kremtime të veçanta, në përkim me ngjarjet e Ungjillit. Në Greqi, gjatë së Shtunës së Madhe, kremtohet procesioni, pastaj Mesha e mesnatës, gjatë së cilës prifti troket tri herë në portën e madhe të kishës dhe kumton Ringjalljen e Krishtit. Këndohet himni i Ringjalles e në kishë përhapen gjethe dafine dhe besimtarët mbajnë në duar qirinj, të cilët duhet t’i çojnë ashtu, të ndezur, deri në shtëpi. Në ish-vendet sovjetike, të Premten e Madhe shkohet në Kishë, ku bekohet ëmbëlsira tipike e Pashkëve e cila ngjason panetones së botës perëndimore, por pa rrush të thatë, ku janë vendosur edhe vezë të ziera të ngjyrosura me të kuqe. Të krishterët ortodoksë në Lindjen e Mesme e përkujtojnë këtë ngjarje qysh në kohët e lashta ku Pashkët shënojnë kulmin e Javës së Shenjtë deri të dielën ku përkujtohet ringjallja e Jezusit tre ditë pas kryqëzimit të tij. Shumë pelegrinë mblidhen të shtunën për të ndjekur Meshën e mesnatës, në Kishën e Varrit të Shenjtë në qytetin e Vjetër të Jeruzalemit ku besohet të jetë kryqëzuar Krishti e ku besimtarët besojnë se ai u varros për t'u ringjallur pas tri ditësh.