Tiranë, 2 korrik 2014 – Ambasadori i OSBE-së Rauning është treguar shumë kritik sot për situatën në burgjet shqiptare, ku pavarësisht se është aplikuar ligji i aministisë qelitë vazhdojnë të mbeten të mbipopulluara.
Rauning u tërhoqi vëmendjen edhe gjyqtarëve që të bëjnë kudjes me dhënien e “masës së arrestit burg” pasi një i paraburgosur i kushton 439 euro në muaj taksapaguesve shqiptar.
“Çdo person në sistemin e burgjeve u kushton pará taksapaguesve shqiptarë. Kostoja e një të paraburgosuri është 439 euro në muaj. Të pasurit e më pak personave në burgje do të thotë më shumë fonde të përdorura për shërbime për qytetarët shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se personat që dyshohet se kanë kryer vepra penale duhet të ndiqen gjithmonë në gjendje të lirë. Kjo do të thotë se masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit nga gjykata gjatë dhënies së masës së sigurisë dhe jo si një vendim rutinë. Arresti në burg duhet të jepet si masë sigurie vetëm në rastet e parashikuara në legjislacionin procedural penal që janë: rreziku i shkatërrimit të provave; rreziku i largimit të të pandehurit dhe rreziku që i pandehuri të kryejë një vepër tjetër penale. Dhënia e kësaj mase sigurie përtej këtyre tri kushteve është cenim i së drejtës themelore të njeriut për lirinë vetjake, nuk është në përputhje me frymën e legjislacionit procedural penal, si dhe është e kushtueshme për ekonominë e vendit.”,- tha ambasadori Florian Raunig.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





