3 dhjetor 2013- Prezenca e OSBE-së në Tiranë në një letër drejtuar komisionit të ligjeve për të ashtuquajturën  “paketa anti-korrupsion” thekson se miratimi i pjesës qëndrore të ndryshimeve do të thoshte një hap mbrapa në luftën kundër korrupsionit. OSBE-ja thekson në letër se lufta kundër korrupsionit është në thelb jo dhe aq shumë një  problem që lidhet me legjislacionin, por me moszbatimin e kuadrit ligjor ekzistues.Pavarësisht kësaj, Prezenca është e mendimit se transferimi i juridiksionit për të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin, pavarësisht natyrës dhe shkalles se tyre, Gjykatës se Krimeve te Renda dhe, rrjedhimisht, Prokurorisë se Krimeve te Renda, nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit.Gjithashtu, ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, i ka dërguar kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ku theksohet se, nëse kjo vepër penale i kalon për kompetencë Krimeve të Rënda, kjo do të sillte një hap pas në luftën ndaj korrupsionit.

 “Pas një rishikimi të hollësishem të draftit të sipërpërmendur, prezenca doli në përfundimin se miratimi i pjesës qëndrore të ndryshimeve, transferimi i kompetencave Gjykatës së Krimeve të Rënda, do të thoshte, në fakt, një hap mbrapa në luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikëpamje, dëshirojmë të theksojmë se situata aktuale në luftën kundër korrupsionit është në thelb jo edhe aq shumë një problem që lidhet me legjislacionin, por me moszbatimin e kuadrit ligjor ekzistues”, thuhet në letrën e Raunig për kreun e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
 
OSBE bën të ditur se, vepra penale e korrupsionit nuk është e rëndë dhe nuk mund të gjykohet tek Krimet e Rënda. “Pavarësisht kësaj, prezenca është e mendimit se transferimi i juridiksionit lëndor për të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin, pavarësisht natyrës dhe shkalles së tyre, Gjykatës së Krimeve të Renda dhe rrjedhimisht, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit”, thuhet në komentet e bëra nga OSBE.