TIRANE, 27 mars 2013- OSBE ka prezantuar sot raportin “Drejt Drejtësisë” që është në thelb një analizë mbi procesin civil të drejtësisë shqiptare. Në fjalë ne tij kreu i Prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth është shprehur se ky raport rekomandon masa që ky sistem të rrisë eficencën dhe transparencën.
“Ky raport vlerëson përputhshmërinë e drejtësisë shqiptare civile me ato ndërkombëtare. Ai rekomandon masa për të rritur eficencën, transparencën dhe mundësinë e eksesit. Si i tillë përbën një kontribut për këtë sistem, kjo është një ndihmë e OSBE për hapat që mund të ndërmerren në të ardhmen”, tha ai.
Sipas ambasadorit të OSBE, “Cdo shoqëri, apo qytetar meriton një drejtësi që funksionon mirë, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe garantohet drejtësia në kohën e duhur. Në funksionimin e gjyqësorit kemi vërejtur përparime reale”, tha Wollfarth ndërsa nënvizoi se “Raporti thotë se ka ende vend për përmirësim deri sa të përmbushen plotësisht standardet ndërkombëtare”.
“Bazuar në monitorimet e 140 seancave tregohet se si mund të rritet eficenca, në gjysmën e këtyre seancave nuk u zgjidh asgjë, synojmë të ulim numrin e çështjeve joefektive”, tha ai më tej.
HALIMI: RAPORTI NJE STUDIM SERIOZ
Ndërsa në fjalën e tij, ministri i drejtësisë Eduad Halimi e vlerësoi këtë raport si të rëndësishëm për sistemin.
“Një raport i cili përmbledh një sërë problematikash. Ky raport shumë i rëndësishëm i kryer nga ekspertë është paraqitur edhe tek Ministria e Drejtësisë gjatë tryezave që kemi kryer për reformën në kodin e procedurës civile, pjesë shumë të rëndësishme të këtij kodi janë marrë parasysh dhe do trajtohen edhe në komisionin e ligjeve”, tha ai.
Ky, sipas tij, është një studim serioz mbi gjendjen e sistemit dhe i vlefshëm.
" I vlefshëm pasi evidenton problematikat e gjyqtarëve dhe publikut, na vjen në ndihmë për problematikën ku ndodhet sistemi. Jep propozime konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne të gatshëm ti analizojmë që sistemi të jetë më eficent. Ndër të tjera përforcon bashkëpunimin mes Ministrisë së Drejtësisë, qeverisë dhe OSBE në përgatitjen e reformave që kanë rezultuar edhe si revolucion”, tha Halimi më tej.
Ai shtoi më tej se, “Mosmarrëveshjet civile janë shumë komplekse, sidomos problemet me pronat, një nga cështjet që është në vëmendjen tonë. Më vjen mirë që në rrugën drejt drejtësisë jemi bashkë”, shtoi ai.





