Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka reaguar për mediat, pasi Tatimet mbërritën në ambientet e kompanisë së prodhimit të vezëve “AIBA” në Shkozet, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armando Duka.
Duka tha se deklaratat që janë thënë për familjen e tij janë negative. Sipas tij, kontrolli ishte i qëllimshëm dhe situata e sotme ishte jo normale.
“Këtu sot kanë ardhur nja 15 veta nga Hetimi Tatimor. Duket se është e qëllimshme sepse pas deklaratave të Erion Veliajt, u sulën ndaj FSHF. Deklarata e Veliajt është shumë fyese për ne si familje, për vetë Armandon. Duket një instrument shumë i dobët shumë i ndryrë. Nuk është kjo mënyra për me marrë institucionet e federatës. Janë zgjedhjet. Duke parë që me zgjedhje nuk e mundin dot kanë filluar punë me kërcënime, që nuk e di se sa do vazhdojnë. Ne s’kemi siguri për jetën”,- tha Duka.
“Mënyra se si do me marrë institucionin është e turpshme, është alarm për të gjithë qytetarët, për të gjithë njerëzit që jetojnë këto. Këto të përzënë nga prona jonë. Kemi derdhur djersë këtu që 30 vite. Ka njerëz që përfitojnë nga kjo punë. Po sulmon rreh 300 persona që punojnë këtu. Ajo që më çudit është se të njëjtën gjë kanë bërë edhe me njerëzit e tyre që merren me futboll. Kjo është një këmbanë alarmi për qytetarët dhe të gjithë që merren me biznes. Nuk mundet që një grup njerëzish të marrin të gjithë pushtetet dhe të kërcënojnë bizneset.“,- tha më tej ai.