*Plan masash për gatishmëri 24 orë.

Ndërmarrja e OSHEE-së në Durrës ka hartauar një plan të detajuar masash me rastin e festave të fundvitit. Për të festuar natën e ndërrimit të viteve, jo vetëm në shtëpi por edhe në restorante dhe bare, janë planifikuar shërbime gatishmërie.

58 specialistë dhe 38 elektriçistë të OSHEE-së në Durrës nuk do të kenë mundësi të festojnë Vitin e Ri pranë familjeve të tyre. Në planin e masave të hartuara nga OSHEE-ja në Durrës, një grup i madh pune me mjetet dhe bazën materiale janë vënë në gadishmëri për çdo defekt që mund të ndodhë në rajonin e Durrësit.

Klodjan Kërtusha, inxhinier i kësaj ndërmarrjeje në Durrës, pohoi se me shërbim gatishmërie 24 orë do të mbulojnë katër zonat e qytetit të Durrësit: qytet, Plazh, Shkozet, Spitallë – Kënetë.

Përveç 58 specialistëve dhe 38 elektriçistëve të njësisë së defekteve që janë në gatishmëri, për çdo defekt që mund të ndodhë në rajonin e Durrësit, për të siguruar energji elektrike pa ndërprerje për çdo zonë në detyrë janë edhe inxhinierët përkatës.

OShEE-ja në Durrës siguron abonentët se janë marrë të gjitha masat për të pasur energji elektrike 24 orë në ditë pa ndërprerje.

K.H.