Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka prezantuar skema të reja lehtësuese për barrën e faturave të papaguara të energjisë elektrike për klientët familjarë dhe jo familjarë, buxhetorë ose jo buxhetorë. Këto skema, të ashtuquajtura “aktmarrëveshje”, ofrojnë lehtësim financiar dhe theksojnë përkushtimin ndaj përgjegjësisë sociale dhe komunitetit të biznesit.
Gjatë vitit 2024 do të aplikojmë aktmarrëveshjet për shlyerjen me këste të faturave të energjisë, të papaguara deri në 31 dhjetor 2022, duke siguruar që klientët të marrin mbështetjen e nevojshme për prapambetjet në pagesat e kohërave të vështira gjatë dhe pas pandemisë.
Masat lehtësuese janë të ndryshme, duke filluar nga: këstet fikse mujore për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për klientët familjar, falje ose lehtësim i kamatëvonesave në varësi të periudhës së shlyerjes dhe skema e kësteve të ndryshueshme, në varësi të masës së detyrimit për kategorinë e klientëve buxhetor dhe jo buxhetor.
Mes klientëve të biznesit, OSHEE është kujdesur për biznesin e vogël që ka gjithashtu lehtësi shtesë në skemën e shlyerjes së kamatëvonesave. Më konkretisht, përfitimet për secilën kategori klientësh janë si më poshtë: Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.
Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë. Ndërsa klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë si në grafikun e përcaktuar.
OSHEE thekson se të gjithë klientët që duan të përfitojnë nga këto skema lehtësuese, të paraqiten në qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit të lidhur aktmarrëveshjen sipas kategorisë përkatëse.