Bllokuese dhe mistrecllëk politik i quan deputeti demokrat Osman Metalla të gjitha veprimet e liderit socialist Edi Rama për të mos miratuar në Kuvend 3 ligjet që kërkojnë 3/5 e deputetëve dhe që janë kusht themelor për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithsesi Metalla shprehet i bindur se me ose pa miratimin e Ramës këto ligje do të kalojnë në Parlament. “Unë jam një njeri optimist dhe do të shpresoj deri ditën e fundit se në PS do të ketë njerëz, do të ketë zëra, do të ketë politikanë që vërtet duan interesat e kombit mbi interesat e zotit Rama. Besoj se këto ligje do të miratohen me apo pa dëshirën e Ramës”,- tha Metalla në një intervistë për “Dyrrah”. Në të njëjtën kohë deputeti Metalla pranoi se ndoshta do të jetë i nevojshëm rishikimi i ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.  

Ministri i mbrojtjes Arben Imami ishte i ftuar këtë javë (javën që shkoi) në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në një seancë dëgjimore pas një kërkese tuajën. Pse e thirrët ministrin?

Një nismë e tillë është e bazuar në Kushtetutën e vendit dhe rregulloren e Parlamentit shqiptar dhe shkon për shtat me ato detyrime që ka Kuvendi i Shqipërisë për të ushtruar funksionet e tij të kontrollit parlamentar mbi Forcat e Armatosura. Kohët e fundit ka pasur shumë zhurmë, tentativa të deputetëve të opozitës për të bërë një kontroll parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe për ministrin Imami, por ata nuk kanë dashur të bëjnë një kontroll të tillë, sepse në të kundërt do t’i ishin referuar kuadrit ligjor kushtetues, nenit nr.72 të Kushtetutës dhe neneve përkatëse të rregullores së Kuvendit.

Në të gjitha rastet që kanë pretenduar për të bërë kontroll në këtë ministri nuk kanë vepruar në përputhje me vendimin që është marrë në komision. Deputetët e Partisë Socialiste janë nisur nga oborri i selisë së tyre drejt Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk janë nisur me vendim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, por me urdhër të kryetarit të PS-së. Nëse vërtet deputetët e opozitës donin të ushtronin një kontroll të tillë, natyrisht që duhet të kishin bërë të njëjtën gjë si unë.

Të thërrisnin ministrin Imami dhe t’i kërkonin dokumentacionin për të gjitha çështjet që ata duan të ushtrojnë kontroll parlamentar dhe natyrisht mbi bazën e këtij dokumentacioni mund të nxirrnin konkluzionet e tyre. Por faktet tregojnë se ata në të gjitha rastet kanë dhënë konkluzionet dhe pastaj duan të bëjnë kontroll.

Opozita e cilësoi “farsë” seancën dëgjimore me ministrin Imami. Cili është komenti juaj?

Koncepti i tyre është politika e rrugës. Ne e bëmë këtë seancë dëgjimore konform ligjit. Ata zbatimin e ligjit e quajnë farsë, ndërsa mënyrën e tyre të të vepruarit e konsiderojnë politikë të drejtë. Natyrisht qytetarët arrijnë të dallojnë se cila është politika e drejtë dhe cila është politika e bllokimit, cila është politika që po largon shqiptarët nga Europa dhe cila është forca politike që po bën maksimumin për të integruar Shqipërinë në Europë.   

Gjithsesi ministri Imami pranoi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se ishte bërë një gabim teknik me shitjen e ish-klubit sportiv “Partizani”. Nuk mendoni se opozita ka të drejtë kur kërkon komision hetimor për këtë ministri?

Unë mendoj se ministri Imami ishte jashtëzakonisht i sinqertë dhe transparent gjatë diskutimit të tij në komision. Ai iu përgjigj me kompetencë të gjitha pyetjeve të deputetëve të opozitës dhe unë rezervoj të drejtën të them se të gjitha përgjigjet që dëgjova në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare më nxorrën në konkluzionin se të gjitha akuzat e bëra nga ana e deputetëve të opozitës nuk janë gjë tjetër veçse një farsë politike, që pritet të shoqërojë fushatën elektorale. Ne jemi përgatitur të përballemi me akuza të paqëna.

Parlamenti nuk miratoi ngritjen e komisionit hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes. Mos ndoshta mazhoranca i trembet një kontrolli të opozitës në këtë ministri?

Absolutisht që nuk është e vërtetë një gjë e tillë. Fakti që ministri ishte në seancë dëgjimore dëshmon vullnetin e mirë që ka ministria në këtë drejtim. Por ajo me të cilën ne u përballëm ishte një format antiligjor për ngritjen e komisionit. Komisionet hetimore ngrihen për çështje të veçanta. Nuk mund të ngrihet një komision hetimor për të hetuar të gjithë veprimtarinë e një institucioni.

Pra nëse opozita do të kërkojë hetimin e një çështje të caktuar në Ministrinë e Mbrojtjes, komisioni do të miratohet?

Patjetër, ne nuk jemi kundër asnjë komisioni hetimor, mjafton që opozita të jetë në përputhje me ligjin. 

Gjatë kësaj jave në Shqipëri mbërriti trupi i ish të burgosurit Lirak Bejko. Mazhoranca zgjodhi rrugën e mos negocimit me ish të burgosurit gjatë kohëzgjatjes së grevës. A mund të ketë kjo kosto politike për të djathtën, kur dihetse kjo shtresë ju ka mbështetur gjatë gjithë këtyre 20 viteve?

Së pari unë gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së ish të burgosurit Lirak Bejko për humbjen e thellë që ata patën. Në të njëjtën kohë unë dua të theksoj se ka qenë kjo mazhorancë (gjatë të gjithë kohës që ka qenë në pushtet) që ka bërë shumë për këtë shtresë, si gjatë viteve 1992-1996, ashtu edhe nga 2005 e në vazhdim. Ka qenë mazhoranca që i ka bërë vlerësimin maksimal kësaj shtrese, ndërkohë që opozita nuk ka bërë asgjë. Normalisht këtyre njerëzve nuk mund t’u kthehen vitet e humbura nëpër burgjet komuniste, familjarëve nuk mund t’u kthehen familjarët që kanë gjetur vdekjen në to.

Unë kam shumë respekt për ata që protestojnë dhe futen në grevë, por mendoj se greva e urisë është mjeti ekstrem dhe nuk ishte ky mjeti i duhur për të kërkuar të drejtën e tyre. Nuk përjashtoj mundësinë që kjo skemë që është miratuar duhet riparë, por besoj se një mjet i tillë presioni ndaj qeverisjes nuk ishte i duhuri. Në momentin që futesh në grevë urie i ke mbyllur të gjitha rrugët e debatit dhe diskutimit me palën tjetër. Me pak fjalë ata hynë në grevë urie për të mos diskutuar

Nëse qeveria dhe grevistët do të ishin ulur në tryezën e bisedimeve situata ndoshta nuk do të ishte përkeqësuar aq shumë?

Qeveria dhe ish të përndjekurit janë ulur shpesh në tryezën e bisedimeve për hartimin e kuadrit ligjor për trajtimin e të përndjekurve politikë. Gjithkush do të donte që nga sot t’u jepej dëmshpërblimi të burgosurve, por të gjithë e dimë se mundësitë financiare të shtetit nuk e mundësojnë këtë gjë në mënyrë të menjëhershme. Skema e dëmshpërblimit të tyre është më e mira e mundshme dhe është e shtrirë në vite.

Pse nuk u tentua të bisedohej me këta njerëz për t’i nxjerrë nga greva e urisë dhe për të shmangur vetflijimin e tyre?

Nuk ishin grevistët e vërtetë ata që morën pjesë në grevë. Ideatorët e vërtetë dhe shtytësit e kësaj greve ishin Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama, që është pasardhësi i atyre që i ndëshkuan ish të burgosurit. Unë kam shumë respekt për ata që protestojnë dhe futen në grevë, sepse ato janë forma demokratike, por mendoj se greva e urisë është mjeti ekstrem dhe nuk ishte ky mjeti i duhur për të kërkuar të drejtën e tyre.

Nuk përjashtoj mundësinë që kjo skemë që është miratuar duhet riparë, por besoj se një mjet i tillë presioni ndaj qeverisjes nuk ishte i duhuri. Në momentin që futesh në grevë urie i ke mbyllur të gjitha rrugët e debatit dhe diskutimit me palën tjetër. Me pak fjalë ata hynë në grevë urie për të mos diskutuar.

Konfliktualiteti që ka karakterizuar gjithnjë politikën shqiptare shtrihet kudo, madje të gjitha gjasat tregojnë se ai mund të prishë edhe atmosferën e festës së 100 vjetorit të pavarësisë. Mos ndoshta politika po kërkon të politizojë edhe 28 nëntorin?

Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i nevojitet një klimë konfliktuale, por një klimë konsensuale. Pak ditë më parë në Kuvend qe e pranishme sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, që mbajti një fjalim mjaft inspirues, që përcolli mesazhe shumë të qarta për cilindo politikan shqiptar. Prandaj unë dua të them që është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë që klima politike të mos jetë konfliktuale, sidomos tani kur Shqipërisë i duhet një konsensus politik për të marrë statusin e vendit kandidat, për t’u integruar në BE.

Kjo politikë konfliktuale nuk sjell asgjë, përveçse bllokim të proceseve integruese të vendit. Të krijosh konflikte dhe për festimet e pavarësisë së vendit unë do të thoja se nuk është gjë tjetër veçse një mistrecllëk politik. Unë kështu do t’i quaja të gjitha veprimet e zotit Rama. Ne duhet të jemi më të gjerë, në mënyrë që përballë interesave tona të vogla si politikanë, të mbisundojnë interesat tona kombëtare.

Është fat që të gjithë bashkë të festojmë këtë 100 vjetor po me sa duket Edi Rama nuk do ta festojmë në paqe dhe së bashku, por do ta ndajë dhe ta përçajë politikën shqiptare.      

Kryetari i opozitës Edi Rama ka vënë si kusht për votimin e 3 ligjeve me 3/5 mandatin e qarkut të Fierit. Edhe në seancën e fundit parlamentare të së enjtes ligjet nuk kaluan për miratim. A rrezikohet statusi në këtë rast?

Pikë së pari këto dy çështje nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën. 3 ligjet që presin miratimin në Kuvend nuk kanë të bëjnë aspak me qarkun e Fierit. Ato janë ligje që kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe forcimin e administratës publike. Janë ligje që na çojnë një hap para integrimit, por janë dhe ligje që janë në interes të të gjithë shqiptarëve.

E parë në këtë këndvështrim, këto tre ligje nuk kanë asgjë lidhje me qarkun e Fierit, por gjithnjë Edi Rama, në të gjitha hapat integruese të vendit ka gjetur një gozhdë Nastradini. Rama nuk do që Shqipëria të integrohet, nuk dëshironte që qytetarët shqiptarë të lëviznin të lirë. Dhe këtë e tregoi me të gjitha bllokimet e tij. Edhe në rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat nuk hyri vetë në grevë, por përdori të tjerë, ish të burgosurit dhe përndjekurit politikë. Kreu i PS-së nuk do gjë tjetër veçse bllokimin dhe mos arritjen e marrjes së statusit të vendit kandidat.

Pra Shqipëria rrezikon ta marrë këtë status?

Unë jam një njeri optimist dhe do të shpresoj deri ditën e fundit se në PS do të ketë njerëz, do të ketë zëra, do të ketë politikanë që vërtet duan interesat e kombit mbi interesat e zotit Rama. Besoj se këto ligje do të miratohen me apo pa dëshirën e Ramës.