Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
I rikthehem temave qendrore, me lëndë të parë të qytetarisë durrsake pas pauzës së rimbledhjes së forcave. Teksa lëvizja, u përballa me shokun e rinisë së parë Besnik Perollin. Për shkak të ec e jakeve të shumta, ku gati gjysmën e vitit e ka planifikuar ta konsumojë në Stamboll, më kishte humbur nga sytë ky Perolli i hershëm. U ulëm dhe ndamë mallin. Vështronim me kërshëri njëri tjetrin dhe vumë re me lehtësi, se koha kishte filluar të na portretizonte konturet e pleqërisë. Po e quajmë të parë. Si kujtim bëmë edhe një foto. Dhe pas kësaj, u qafuam. Në mbrëmje të asaj dite, po grricja memorien dhe nga ajo doli lëngu i kujtesës.
Brofa në këmbë. Diç më gëzoi dhe i dhashë vetes të drejtë. Në mëndje ishte ulur formulimi dhe e lëviza paksa që t’i jepja formë. Besnik Perolli, biologu i njohur i rritjes së peshkut sa në ShanVlash aq edhe në Karpen të Kavajës, është i biri i Osman Perollit. Eh, Osman Perolli! Dua të jem i frenuar në eiptete, të cilat jo rrallë marrin edhe formën e hiperbolave. Jam i nxitur ta bëj këtë, për vetë peshën e rëndë të personazheve që marr përsipër t’i trajtoj. Por detyrohem të mos e mbaj këtë premtim, jo për efekt frymëzimi se sa argument i mendimit, për t’i dhënë personazhit meritat që i takojnë.
Një i tillë pa hezitim është dhe Osman Perolli. Më kërkesën time, i rikthehem takimit me Besnik Perollin dhe e vendos në morsën e gazetarit. Mësoj shumë gjëra që nuk i dija, pasi s’më kishte shkuar puna deri këtu. Besnikut i pëlqeu idea për të shkruajtur jo thjesht si djali i tij, por sepse Osman Perolli është gur themeli i një puntorie ndryshe durrsake. Për herë të parë vendosi në ekonominë modeste shqiptare, të prodhojë artikuj plastike. Por siç do ta mësoja nga biseda, në një mbledhje me drejtuesit e artizanatit në qytetet e Shqipërisë këtu e në vitin 1961, nuk njihej as fjala plastikë.
Ngrinin shpatullat dhe të shikonin si idiot, kur i thoje se do të krijojmë fabrikë apo uzinë plastike. Deri këtu ishin. Kështu vijnë thëniet për këtë. Dhe vendosa ta lër në hije Besnikun, për t’u marrë me emrin e njohur, por jam i sigurtë e paditur historia e tij, me emrin emblematik Osman Perolli. Kujtoja që në klasën e 8-të në shkollën “Nako Spiru”, i thonim Besnikut: “turku, turku”. Arsyjen nuk na shkoi ndërmënd ta merrnim. Dhe duhej të kalonin 55 vite që ta mësoja. Surprizat dhe befasitë nuk kanë fund. Kam mbetur i hutuar, derisa i krijova qetësinë vetes, për të hedhur rradhë për Osman Perollin.
U lind në Prizren me 22 qershor 1923. Dera e Rifat Perollit, kishte një trashigimi 400 vjeçare. Shtëpi e madhe në mes të Prizrenit. Edhe tani, ajo mbetet po aq e fortë sa më parë. Derë e madhe kjo e Perollëve në Prizren, derë e fisme, derë gjithnjë e hapur për shqiptarinë. Mjedisi ku u rrit Osmani, ishte i tillë ku vëndin e gjakut e zinte patriotizmi, lufta për liri, përpjekja për çlirimin e trojeve amtare. 17-18-të vjeçar, kapelen mbi krye, veshur uniformën e njohur të luftëtarit, pushkën në krah e koburen në brez, përqafon malet dhe përplaset me pushtuesin. Shok i ngushtë armësh me Hajdar Dushin. Ishte pranë tij derisa u vra nga të huajt, në Kala të Dodës në Dibër. Luftëtar i paepur për çlirimin e trojeve shqiptare dhe i vendosur për t’u sakrifikuar.
Është një foto e fiksuar në çlirimin e Prizrenit, ku Osman Perolli është në tribunën e ngritur me këtë rast dhe pranë qendrojnë Fadil Hoxha dhe Shefqet Peçi. U drejtohet turmave si çlirimtar dhe besimplotë për çështjen shqiptare. Xhaxhai i tij Ferid Perolli, është nënshkrues i konferencës së Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Idealizmi i Osman Perollit ishte i tejskajshëm, pasi e donte Kosovën, e donte Shqipërinë, e donte tokën e Arbërit, duke vënë peng jetën për ruajtjen e tyre.
Veprimtaria në Prizren mbetet aktive. Ishte viti 1945, kur jeta e kosovarit Osman Perolli do të ndryshonte. Shkas për këtë u bë Drita Shehdula, e cila u lind në Kavajë me 1 gusht 1926 dhe u ngarkua në Shqipëri me detyrë, në mbështetje të shqiptarëve të Prizrenit. Këtu njihet me Osmanin dhe ndodh lidhja e përjetshme. Familja e re zgjerohet me lindjen e Dashurisë në Prizren në vitin 1946 dhe të djalit Besnik, në 1951-shin në Prishtinë. Brenda familjes Perolli tri emra me kuptim, që shprehin vetë kuptimin e jetës së këtij intelektuali me njohuri të thella, këtij eruditi që mësoi e mësoi për të dhënë më të mirën e mundshme. E shoqja – Drita, vajza – Dashuri, djali – Besnik. Që të tre këto emra, simbolika e tij për Kosvën dhe Shqipërinë, dritë, dashuri e besnikëri gjithnjë për to.
Emërohet në ambasadën jugosllave në Stamboll në 1951-shin dhe qendroi në këtë post deri në vitin 1955. Këtu jeta e Osman Perollit pëson ndryshim të madh. Tito ndërmer akt të pashembullt shkombëtarizimi. Me mijra kosovarë, dëbohen nga toka e shenjtë.. Mashtrimi për çështjen e tyre, u bë realitet. Lufta për çlirim, u devijua qëllimisht dhe çështja kosovare mbeti zhgënjim. Për Osman Perollin u bë e qartë, shkëputja nga kjo politikë raciste, që po ndiqte Tito ndaj Kosovës dhe kosovarëve dhe del hapur kundra. Doli në një konferencë për shtyp, dhënë para gazetarëve të huaj në hotelin “Hilton” të Stambollit, duke dënuar Titon dhe vijën e tij politike titizmin. Denoncoi genocidin që filloi ndaj shqiptarëve dhe bëri dorëheqje publike nga detyra e caktuar në ambasadën jugosllave.
Me ndjenjë të theksuar kombëtare dhe me kurajo të veçantë, i kërkoi qeverisë turke strehim politik. Vështirësi të jashtëzakonshme iu krijuan Osman Perollit, kësaj figure qendrore të luftës për çlirimin e Kosovës, për të mbijetuar. Dashuria dhe Besniku, ndiqnin mësimet në kolegjin e njohur francez në Stamboll, duke përvetësuar në dhjetë vitëshin e parë të jetës gjuhën franceze dhe angleze. Provoi të punonte taksist, por detyrë e pamundur. Të ardhura të pamjaftueshme për të jetuar. Ndërkohë Drita Shehdula, ndonëse e lindur në Kavajë me 1 gusht 1926 dhe aktivitetin e luftës e përqendroi në Tiranë, duke mësuar në Institutin femëror “Nana Mbretëreshë”, është pjesë e këtij fisi të njohur në Durrës.
Në bisedë me Besnikun, i shpreh padurimin tim për të ditur, se ç’lidhje ka Osman Perolli me plastikën, që do të bëhej aq i njohur në Durrës. Befasia dhe çudia ndjehej dukshëm, tek shoku im i mesit të viteve 60-të. Për të mos thënë, që dhjetëfish ndjehej edhe tek unë.
– Siç më ka treguar babai, kur vendosi të mos punonte në taksi, kalonte orë të tëra duke filluar të skicoj forma lojrash në plastikë. Vizitoi rastësisht një fabrikë turke të prodhimeve plastike dhe kishte ngacmuar veten, kur ishte kthyer në shtëpi se diçka mund të bënte këtu. Vendosi t’i përkushtohej lojrave për fëmijë në plastikë. Mendimin e ktheu në veprim. Dhe kështu u lidh me profesionin e pamenduar ndonjëherë, atë të propjektuesit dhe prodhuesit të artikujve plastikë.
Ç’ka dëgjoja për Osman Perollin, ishin fringo të reja. Sa i veçantë? Çfarë cilësish? Çfarë talenti? Sa mësime jep përvoja dhe përkushtimi i tij? Jurist nga studimet e kryera në Zagreb, në përkushtues i prodhimeve plastike. Fantazia e Osman Perollit shkonte larg, shumë larg. Po avanconte me shpejtësinë e erës. Sfidues i rrallë. Nga asgjëja, krijoi gjithçka. Me veten si fillim, me 2-3 të tjerë si avancim i bindjeve dhe me 30 punëtorë krijoi në Stamboll, fabrikën e prodhimeve plastike të lodrave për fëmijë “Perolli”. Fama mbuloi këtë qytet gjigand prej 17 milion banorësh. Kosovari Osman Perolli, u bë i famshëm dhe fabrika e ngritur prej tij konkuronte. Kaloi në treg. Të ardhurat po përmirësoheshin. Fëmijët po rriteshin. Dashuria 14 vjeçare dhe Besniku 10.
Drita Shehdula bënte presion të vazhdueshëm tek i shoqi, se dontë të shkonte në Shqipëri, në Durrësin e përmallshëm, tek toka e saj, tek njerëzit më të shtrenjtë që kishte në botë. Ambasadori i Shqipërisë në Turqi Likë Seiti, ishte mik shtëpie me familjen Perolli. Atij i kërkohej orë e minutë të vinin në Shqipëri. Dhe Likë Seiti ua realizoi këtë dëshirë.
Me 6 prill 1961, familja e Osman Perollit udhëton me tren nga Stambolli në Varna të Bullgarisë. Të nesërmen me vaporrin shqiptar “Teuta”, me kapiten të mirnjohurin Tod Muka udhëtojnë drejt portit të Durrësit Osman Perolli, Drita Shehdula, Dashuri Perolli dhe Besnik Perolli. Kjo katërshe do të krijonte në Durrës historinë e një familje qytetare, që u bë shumë e njohur. Të mirë, të komunikueshëm. Drita shkëlqente me atë kulturën e lindur dhe Osmani urtësia dhe aftësia e të cilit, do të ulen përjetësisht në qytetarinë durrsake dhe mbetet si shpërblimi më i mirë ndaj saj. Merr zgjidhje edhe ajo që i thonim Besnik Perollit në klasën e 8-të të shkollës “Nako Spiru”: “turku”, “turku”.
Një jetë e re dhe e panjohur hap siparin për Osman Perollin, por në tërësi edhe për familjen. Çfarë mund të bënte ky njeri, në këtë Durrës të shumëpritur? Plastika sigurisht mbetej opsioni kryesor. Është viti 1961. Në Shqipërinë e kohës, nuk njiheshin prodhimet plastike. Osman Perollit as nuk mund ti shkonte në mëndje, se rezistenca do të ishte aq e madhe, saqë do ta kalonte në dëshpërim. Ndërmjetësoi me ministrinë e linjës, takim me drejtuesit e ndërmarrjeve artizanale të kohës. U hodh idea që të planfikoheshin edhe prodhimet plastike. Por nuk doli një drejtues nga rrethet, që t’ia bënte për mbarë. Nuk e njihnin fjalën plastikë, e jo më prodhimet e saj. Osmani kishte marrë me vete një çantë dhe brenda saj qendronin prodhime plastike lojrash për fëmijë, që mund ti diskutonin. Por jo. Heshtje dhe hezitim.
Kthehet në Durrës i pezmatuar. Mërzitja dhe hutimi po e goditnin papritur. Se kishte menduar se mund të vihej përballë një sfidë të pakuptimtë, por ku edhe injoranca bënte të sajën. Po pse në Stamboll, në atë fabrikë lojrash plastike për fëmijë, e kishte patur të lehtë ky Peroll të krijonte emër të madh? E kuptoi se duhej të bënte akoma më shumë, sa ç’kishte bërë. Realitet i ri me sprova të reja, që sigurisht do të fitonte terren e përparuara, në ndeshje me qendrime frenuese, skeptike dhe profane.
Deri këtu, puna e Osmanit nuk njihej. Do të tërhiqej, para një realiteti që nuk ia thonte, por edhe që nuk dinte? Pak kishte hequr ky Peroll i fortë, ky Peroll i hekurt, ky Peroll që vetëm sulmin njihte dhe tërheqjen jo.
Sajon një dhomë 4×4 m. Hap çantën magjike dhe nxjerr prej saj disa lodra të thjeshta për fëmijë. Këto kishte prodhuar deri tani. Gjen një punëtor me emrin Beqir dhe bie dakord me të, që të shkojë në koshat e mbeturinave të qytetit dhe të mbledhë materiale plastike të hedhura, duke nisur që nga tapat e shisheve. Beqiri i bindur mblodhi aq sa mundi. Osmani nisi të sajojë teknologjinë. Krejt i vetëm, me bashkëpunëtorë të ngushtë mëndjen e tij të florinjtë dhe duart e mrekullive.
Dolën prodhimet e para në kushte artizanale. Artikujt u shtuan dhe sasia gjithashtu. Osman Perolli nisi luftën e dytë të jashtëzakonshme të jetës, të mbijetesës, por edhe të konfirmimit të bindjeve, se mund t’ia dalë qoftë edhe i vetëm. Veçanërisht kjo në hapat e para.
– Më vjen inat me veten, flet duke shtrënguar duart Besnik Perolli, si nuk ia mësova mbiemrin Beqirit, ciganit aq të mirë, aq të urtë, që ishte i pari që iu babait krah, në fillimet e para me përmasa historike të prodhimeve plastike në Shqipëri. Utopi e plotë për ta besuar.
Por duhej të quheshe Osman Perolli dhe duhej të kishte një bashkshorte të rrallë si Drita Shehdula që e nxiste, të mendoje se do t’ia dilte në atë që fort besonte. Disa herë burri me trup të brishtë, me një zë që duhej të ishe i vëmëndshëm për ta dëgjuar, me syze që i shkonin fytyrës së tij të rrumbullakët, fliste me veten:
-Do tia dalësh Osman, nuk ke ku të shkosh! Është rasti të tregosh veten, por edhe vlerat e një pune që kërkojnë dimensione të reja. Do t’ia dalësh Osman…, do tia dalësh…!
U skicuan dhe u ndërtuan format e para. Fuqia punëtore filloi të rritej. Po kështu nga një dhomë u bënë dy, tri, katër. Nami po përhapej me shpejtësi dhe prodhimi njihte vetëm rritje. Të parat artikuj çanta grash, lule, tapa shishesh, pantofla, rripa të formateve të ndryshme, lojra për fëmijë, makina, kukulla etj. etj. Emri i Osman Perollit mori “arratinë”. Lajmet për të u vendosën në kronikat e para në radio dhe televizion. Tituj të mëdha gazetash në faqet e para, flitnin për fillimin e prodhimeve plastike në Durrës dhe për pasojë në Shqipëri. Lakohej gjithnjë e më shumë një emër, mbuluar me djersën e punën, mbështetur si gur themeli në vullnetin dhe pasionin, përkushtimin dhe dëshirën e jashtëzakonshme. Është Osman Perolli, juristi i Zagrebit, historia moderne e prodhimit të artikujve plastikë në Durrës.
Osman Perolli dhe Durrësi! Durrësi dhe Osman Perolli! Ky binom lulëzoi në përmasat e çudisë dhe të habisë, pse jo edhe të një lloj hipnotizimi që bënte ky njeri i madh i punës dhe i veprave. Osman Perolli hyri në magjinë e tij dhe filloi të ndërtoj magjinë e madhe, ëndërrën e pamenduar, se edhe Shqipëria mund të bëhej prodhuese, pse jo edhe eksportuese e artikujve plastikë. Nga pak dhomat e vogla, po ktheheshin në fabrikën e bukur dhe moderne të Shkozetit. Durrësi me fabrikë plastike. Krijues, nxitës, frymëzues, zbatues, mbështetes i fuqishëm i gjithçkaje që mendohej, ishte dhe mbeti ky Osman Perolli, kosovari “turk” i Stambollit, që bëri historinë e prodhimeve plastike në Shqipëri.
Brezi ynë dhe ai para, nesh i njohin mirë prodhimet plastike, ku gjithçka kërkohej dhe nevojitej prodhoheshin në fabrikën tonë, në fabrikën që u ndërtua në bazë të mënçurisë të burrit të madh e të nderuar, me emërin e përjetësisë Osman Perolli. Lugë, pirunj, pjata, tasa, kova, legena, hinka, këpucë, sandale, pandofla, rripa, karfica, krehëra, lugë këpucësh, mbulesa ndërtesash, shishe, bidona, kazanë, fuçi e shumë e shumë artikuj. Duhet t’ia dimë për nder, e duhet t’i falemi punës gjigande që kreu i madhi emër Osman Perolli. I donte njerëzit, i donte punëtorët, i respektonte kolegët dhe mirkuptohej me to.
Janë të rrallë njerëz si Osman Perolli, ku veprimtaria e tyre të barazohet me një industri të vetme, që lidhet me emrin e një njeriu. Osman Perolli është krijimi dhe historia e plastikës shqiptare, që nga A-ja deri tek Zh-ja. Largimi nga jeta me 4 prill 2006 i Osman Perollit, ku Drita që i dha dritë familjes së tij, na kish dhënë lamtumirën me 20 gusht 1999, nuk mund të largojë punën, përpjekjet dhe historinë titatanike të njeriut të spikatur që ndërtoi plastikën tonë.
“Mirënjohja e Qytetit” të Durrësit, mbetet më e pakta që mund të bëhej për këtë supernjeri, që i dha autoritetin dhe nderin e duhur Durrësit. Juristi i Zagrebit, djali i Prizrenit të njohur, kosovari i lindur me dashurinë e madhe për mëmëdheun, zotëruesi i shtatë gjuhëve të huaja, u bë durrsak i çquar, me historinë e madhe dhe të pa cënuar të ndërtimit të plastikës. Veç kësaj dha dhe shumë qytetari, shumë art komunikimi, shumë kulturë e xhentilesë që është skalitur në kujtesën e çdo durrsaku.
E sa i takon fëmijve, Dashuria mbaroi studimet për frëngjisht. Ndërtoi jetën me inxhinjerin mekanik vlonjat Bexhet Ganaj, duke shtuar familjen me tre fëmijë. Emigroi në Angli dhe me 2 janar 2021, si pasojë e covid 19 ndahet nga jeta. Kjo e pikëlloi të vëllanë Besnikun. Pengu për humbjen e saj ndjehet akoma, sikur të ketë ndodhur tani..
Besniku, “turku” im i shkëlqyer, mbaroi për biokimi. Zgjodhi profesionin e biologut. Puna në Karpen e lodhi. Ekspozimi për orë e orë të tëra në diell, ka krijuar pasoja por që uroj ti kaloj pa qeder. Në rritjen artificiale të peshkut, rriti kërkesat për të qenë profesionist i aftë si i jati. I kujton me shumë mall, shokët e ngushtë të punës Nasho Hutën, Vaso Stamon dhe Agron Kalon. Bashkshortia Lindita Seraili, është me profesion ekonomiste dhe pjesën më të madhe të detyrës e kreu në Uzinën Elektromekanike Durrës.
-Kami qenë me fat për dy fëmijët tanë, tregon Besnik Perolli. Vajza Bujana, është e lidhur me një amerikan dhe bëjnë jetë aktive dhe të gëzueshme. Pasi mbaroi studimet për financë punon në Amerikë në Bankën Botërore. I ka kryer të gjitha specializimet. Jep rekomandime financiare vendeve të lindjes. Djali Arbëri, përfundoi edhe ky studimet në Amerikë për administrim biznesi dhe punon në manaxhime hotelerie.
Një foto me “turkun” e dashur, shokun tim të afërt Besnik Perolli, na nxorri tek historia e pionierit të ndërtimit të plastikës shqiptare, tek vetë krijuesi i saj Osman Perolli, tek nëna e tij Drita Shehdula, tek e motra Dashuria e paharruar dhe familja e biologut tonë.
Sa histori të tilla duhet të zbulojmë. Nuk është vetëm nderi i tyre, por edhe i joni. Janë ajo pjesë, mbi bazën e së cilës mburremi dhe çfaqemi krenar para të tjerëve. Janë pjesë e shoqërisë së avancuar dhe të civilizuar durrsake. Dhe në këtë shkrim, çfaqëm njërin prej tyre. Jam i lehtësuar që kreva një detyrë sa miqësore, aq edhe morale qytetare.
Osman Perolli, ky kapitull i artë i shoqërisë dhe i punës, ishte i vlerësuari dhe i respektuari im në këto përmasa. Por edhe të tjerë të bëjnë atë, çka meriton kjo mburrje e jona. Të paktën të mos e harrojmë.
Durrës: 7 tetor 2022