5 nëntor 2015 – Pasi gjykata e Durrësit vendosi lirimin nga paraburgimi të 45-vjeçarit Gazmir Luku, nëpunës i gjendjes civile të Manzës, e njëherësh kryetar i PD-së së kësaj zone, PD në Durrës ka dalë në një deklaratë për mediet.
Osman Stafa e ka konsideruar politik arrestimin e Lukut e të dirigjuar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
“15 ditë para arrestimit nga policia, kryebashkiaku i Durrësit e ka thirrur në zyrë dhe i ka kërkuar dorëheqjen. Në momentin kur dorëheqja nuk është pranuar, policia e rendit dhe prokuroria kanë dirigjuar arrestimin, që është i paligjshëm dhe i motivuar politikisht”, tha Stafa.
Më tej, ai i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që të mos përdoren politikisht nga kreu i bashkisë.
“Shtetasi që është pajisur me certifikatë nga nëpunësi i gjendjes civile, me emrin e ndryshuar është shtetas me pasaportë amerikane, dhe nënshtetësi shqiptare. Është i padënuar, i parrezikshëm, shtetas që ka lëvizur në të gjithë botën, dje mori certifikatë për t’u pajisur edhe me pasaportën shqiptare”.
/K.H. portali DurresLajm/