7 maj 2015 – Kjo e enjte e fillim majit ishte politikisht e enjtja e Vangjush Dakos. Në Parlament peshat e rënda të PD-së si kryetari i grupit parlamentar Paloka apo ish-kryeministri dhe ish-presidenti Berisha sulmuan egërsisht Dakon. Akuzat shkonin nga falsifikim i zgjedhjeve nëpërmjet “importimit” të zgjedhësve në Durrës nga zona të tjera të Shqipërisë e deri në urdhra të dhëna policisë dhe gardës për kontroll trupor të durrsakëve gjatë vizitës Rama-Meta të kryer dje në qytetin bregdetar. Kryeministri Rama tri herë u detyrua të bënte avokatin parlamentar të Kryebashkiakut Dako nga akuzat e PD-së.
Në sinkron të plotë me sulmet parlamentare, Osman Stafa shefi i PD-së durrsake kallëzoi penalisht Kryebashkiakun në prokurorinë e Rrrethit gjyqësor Durrës. Kallëzimi u bë pikërisht për “importimin” e zgjedhësve me kontrata fiktive qeraje në ish-kabinat e Plazhit Durrës apo në pallate po në plazh, që janë të pabanueshme, sepse janë ende në fazën e karabinasë.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/