DURRËS, 4 shkurt 2015 – Kryetari i Partisë Demokratike, Dega Durrës, z. Osman Stafa ka reaguar ndaj ngjarjeve kriminale të ndodhura në qytetin bregdetar. Në llogarinë e tij në Facebook, Stafa shprehet se policia duhet të përmbushë funksionet e saj ligjore e jo t’i shërbejë një regjimi.
Më poshtë do të lexoni komentin e tij:
"Ajo që kemi paralajmëruar tashmë për situatën kriminale në qytetin e Durrësit është fakt. Krimi eshte ne revansh legal, jashte kontrolli.
Çdo ditë e nisim dhe mbarojmë me lajme tronditëse kriminale, që variojnë me vrasje ordinere dhe mafioze, tritol në banesa e qendra biznesi,makina që digjen në qendër e periferi të qytetit, grabitje me maska dhe pa maska..
Kështu ne harkun e 48 orëve, në qytetin e Durrësit kanë ndodhur dy ngjarje të rënda kriminale:
– Plagosja e një nxënësi 17 vjeçar në ambjentet e jashtme të një shkolle të mesme në Durrës,
– dhe njëkohësisht më datën 2 shkurt, rreth ores 17: 30 në fshatin Gjuricaj të Komunës Ishëm, familja e z.Selman Zholi është bërë pre e dhunës dhe e grabitjes prej personave ende të paidentifikuar nga Policia.
Çuditërisht, autori largohet në drejtim të paditur dhe policia vijon kërkimin.
Kjo situatë shënon kulmin e papërgjegjshmërisë, të cilën e kemi denoncuar dhe paralajmëruar rast pas rasti.
Humbja e besimit të qytetarëve ndaj strukturave të policisë është trishtuese.Qytetarët e Durrësit kurrë nuk janë ndjerë kaq shumë të pasigurtë. Devijimi i policisë nga objekti dhe detyrat kryesore që i ngarkon ligji ka mundësuar humbjen e kontrollit të territorit e ka çoroditur dhe tejlodhur qytetarinë e Policinë, e për rrjedhojë i është dhënë territor individëve dhe grupeve kriminale ordinere dhe të organizuara të sfidojnë shtetin, jetën dhe pronën e qytetarëve.Me patjetër kërkohet si nevojë urgjente bashkëpunim i agjencive të sigurisë, pasi krimi është më inteligjent se një polici e përçarë nga kontrolli i pushteteve politike.
Një polici që kontrollon gjithçka, përveç kriminelëve, me plot gojën mund të cilësohet si një polici që i shërben një regjimi dhe jo funksioneve të saj ligjore.
Partia Demokratike/ Dega Durrës fton qytetarët, strukturat vendore dhe Policinë e Shtetit, të rrisin bashkëpunimin për të parandaluar kriminalitetin dhe vendosjen e autoritetit të ligjit në shërbim të qytetarëve", përfundon Stafa.





