Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 1 nëntor 2014– Kryetari i PD-së Durrës Osman Stafa në këtë foto kuptimplote ngjit shkallët e ringritjes së PD-së pikërisht mbi rrënojat në plazhin e Durrësit, që la pas Urgani “Kaltrina.” Ups! Na falni qenka uragani i INUK-ut të Ramës. Uragani “Kaltrna”, që goditit Amerikën vite më parë, shkatërroi gjithçka, që ndeshi. Uragani Rama është më modest. Ai shkatërron vetëm kioska, tenda, barrake e gardhe sa për grataciela, aha nuk ka takat jo. Pronarët e gratacielave nuk janë pendëthyer, ata ta ….
Njëlloj sipas maksimës së Fon Klauzevict, Osman Stafa shpreson të korrë edhe atje, ku nuk ka mbjellë. Ndërsa Osmani me vështirësi i ngjitet përpjetë rrënojave të INUK-ut njëlloj sikur të ishte ndonjë kodër e pjerrët fshati, ai në to shpreson ringritjen e PD-së. Ringritje kjo e mundshme jo aq për meritë të PD-së, ende në gjendje mjerane sesa për gabimet e pushtetit tangërdhëkës, mendjemadh, dorërëndë, pushtet i bindur që PD-ja ka rënë aq poshtë sa edhe me kakaviça (shprehje brilante kjo e avokat Ngjelës) si ministri Tahiri do e marrë zvarrë PD-në e do t’i bëjë zbor shqiptarëve. Pikërisht këtë gabim taktik të Ramës shfrytëzon kryetari Stafa. Ai e di, që inspektimi i rrënojave prej tij ca muaj më vonë do të sjellë vota shtesë në “shportën” e PD_së. Ata, që panë tu shkojnë për lesh bubi bizneset edhe po qenë anëtarë me tesër të PS-së, do votojnë nesër kundra. Osmani shpreson edhe për më shumë vota, kur ruspat e Ramës dhe policët e Tahirit t’i futen lokaleve te Mauzeleumi i dëshmorëve, pastaj te Bërryli (lokaleve jo gratacielave!!!!), më pas ngrehinave rrugës Aleksandër Goga deri në Porto Romano, pastaj në Lalëz, pastaj katundeve të superbashkisë Durrës me rradhë.
Kryetari Stafa me sensin praktik prej njeriu me këmbë në tokë e di që ekuacioni Rama për të fituar votat e ziliqarëve duke shembur kioska, duke gjobitur Tahirçe për kutittë e ndihmës së shpejtë duke burgosur për tela korenti nuk ka zgjidhje. Kryeministri Rama dhe administrate e tij “allasojshe” bazohen te zilia tipike e katundarit shqiptar, që gëzohej se i kishte ngordhur lopa komshiut. Pra Ramën do ta votojnë të gjithë ata, që do gëzohen për fatkeqësinë apo burgosjen e komshiut. Sa për mentalitet fshatari Stafa është më afër realitetit se ish “çuni” i Tironës apo i buzë bllokut aktualisht Kryeministër i Shqipërisë. Fshatarët shqiptarë kanë dalë në emigracion. U janë hapur sytë. Janë qytetëruar dhe gjithnjë e më shumë po i largohen vlerave primitive si ajo e të gëzuarit me fatkeqësinë e tjetrit. Jo vetëm qytetarët e Durrësit, por edhe fshatarët e rënën në Durrës këto vite tranzicioni kanë filluar ta kuptojnë, që pas ngordhjes së lopës së komshiut do t’i vijë rradha lopës së vet. Pra mbështetja te zilia e zemërzija për të akaparuar vota mund të jetë një lojë tek a çift, jo një formulë e pagabueshme për fitore. Gjithsesi, zgjedhjet lokale janë afër (nëse nuk bojkotohen nga PD-ja), atëhere do shohim kush kishte të drejtë “çuni” i Tironës, buzë Bllokut apo Osmani aktualisht kryetar i PD-së së Durrësit.
Qofsha gabuar po se ç’kam një përshtypje, që Kryeministrin Rama në Durrës e ka kapur sindroma “Teliti 2007”. Mjer Dako po qe kjo e vërtetë. Do t’i duhet shumë punë, përpjekje, djersë e para për të zhbërë çfarë po keq-bën Rama me kakaviçët e tij në Durrës.





