•    Lideri i Partisë Demokratike për Durrësin, z. Osman Stafa ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, një ftesë të hapur, vlerësuese dhe shpresëdhënëse për të gjithë simpatizantët e forcës politike blu.

Ai u rikujton se do të jenë ata protagonistët esencialë, jo vetëm të garës së re për zgjedhjet vendore, por edhe të hartimit të programit të ri zhvillimor të qytetit. 

  31 janar 2015 –  Ja si shprehet ai:

“ Të nderuar miq, qytetarë të Durrësit, anëtarë dhe simpatizantë të PD!

Do doja të ndaja me ju dy çështje shumë të rëndësishme:

Së pari,

Ditët e fundit, në mediat e shkruara dhe ato vizive, jemi njohur me emra kandidatësh potencial për të qenë pjesë e garës elektorale për zgjedhjet vendore të këtij viti. Një fenomen normal, ku për pak muaj fillon gara për zgjedhjet vendore. Gjej rastin të falenderoj dhe përgëzoj në emër të Partisë Demokratike, dega Durrës çdonjërin  nga ju, pasi e konsideroj një vlerë e shtuar kontributesh dhe eksperiencash intelektuale e qytetare.

Sigurojmë çdo qytetar dhe demokrat, që nga ana jonë ky proces në bashkëpunim me ju do të menaxhohet me transparencë, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, në emër të interesave qytetare dhe politike. Janë vetëm proceset demokratike dhe statutore brenda PD-së dhe koalicionit të djathtë ato që do të përcaktojnë kandidaturën fituese; një kryetar të ri të Bashkisë Durrës i cili do ketë detyrën e vështirë, por fisnike t’i japë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një frymëmarrje qytetit, pas këtij krimi urban dhe zhvillimor që ka pësuar Durrësi.

Prandaj ju sigurojmë se do të përzgjidhet ai kandidat, i cili jo vetëm ka përkrahjen e qytetarisë durrsake, por ofron zgjidhje konkrete dhe afatgjata për qyettin dhe në emër të qytetarëve. Ky fluks vlerash dhe kontributesh është një garanci dhe shpresë për qytetin dhe për forcën tonë politike, tregon përgjegjësi dhe besim për fitoren e padiskutueshme.

Së dyti,

Partia Demokratike Dega Durrës fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat, të gjithë profesionistët, intelektualët dhe përfaqësuesit e botës akademike, të cilët ofrojnë ekspertizën në fusha të ndryshme (ekonomike, sociale, turizmi, zhvillimi urban, trashëgimisë kulturore etj), të bëhen pjesë e përhershme e Departamenteve të PD, Dega Durrës.

Do të jetë ky grup i cili bashkë me strukturat e tjera të PD, bashkë me zërin e qytetarëve do të identifikojnë problematikat dhe me profesionalizëm do hartojë programin e ri të zhvillimit për qytetin. Të kontribuojmë të gjithë në emër të qytetit dhe të ardhmes, nëpërmjet pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë sonë".

Kështu e përfundon komentin e tij, kryetari Stafa.