Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kujtuar 26-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj pushtuesit serb. Osmani tha se 24 marsi, është dita kur liria mori krahë.

“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, tha ajo.

E para e shtetit shtoi se “nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”.

“Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!”, shtoi Osmani.