Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u takuan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Pas takimit në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se falënderoi dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.
Po kështu, ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Në hapje të takimit Sekretari Blinken foli për partneritetin e fortë SHBA-Kosovë dhe rëndësinë e kësaj miqësie.
“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se, siç e dini të gjithë, mes nesh ka një histori të gjatë dhe të fortë, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta”, tha Blinken.
Pas takimit Presidentja Vjosa Osmani tha se e informoi Sekretarin Blinken rreth reformave të ndërmarra në Kosovë. Nga ana e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se shprehu mirënjohjen e tij për ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur mizoritë serbe në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik.
“Në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë, të cilat dëshirojnë të tregojnë që për zhvillim ekonomik demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë së bashku”, tha zoti Kurti
Presidentja Osmani kane marre pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që ka për qëllim forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë.





