Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mban këtë të mërkurë një fjalim në Parlamentin Europian në Strasburg. Ky fjalim në PE është i pari që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008.

E këtë fjalim historik, Osmani e nisi me fjalët e ish-Presidentit Ibrahim Rugova: “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

Presidentja u shpreh se Kosova është vendi më pro-europian në rajon.

“Kosova është e pavarur dhe e lirë. Kosova është Europë, vlerat e BE-së janë pjesë themelore e shoqërisë sonë. Ecim krah për krah me vlerat europiane, do qëndrojmë përkrah Europës”, tha ndër të tjera Osmani.

Më tej ajo ka kërkuar që vendet e BE-së që qëndrojnë pranë Kosovës.

“Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për t’ju bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”, u shpreh ajo.

Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë. Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.

Si pasojë, mediat raportojnë se kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, ka përgatitur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Gjatë vizitës së saj në Strasburg, Osmani ka zhvilluar takime edhe në Këshillin e Evropës. Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e kësaj organizate para një viti. Muajin e shkuar nisi procedura formale për pranimin e Kosovës në këtë institucion.