Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të BE-së në Prishtinë.

Osmani e cilësoi të padrejtë vazhdimin e këtyre masave, duke theksuar se ato dëmtojnë qytetarët e Kosovës dhe bien ndesh me parimet e vetë BE-së. “Theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës,” shkroi ajo në Facebook.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës në vitin 2023, pas tensioneve në veri të vendit, dhe ka deklaruar se ato do të hiqen vetëm pasi Kosova të bëjë hapa konkretë për shtensionimin e situatës.

Gjatë takimit, Osmani diskutoi gjithashtu për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kosova pritet të ketë një qeveri të re së shpejti, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli forcë e parë me 42.30% të votave, por pa arritur shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.