Tefik Osmani, një nga futbollistët me më shumë eksperiencë në kampin durrsak, nuk fshihet dhe tregon se Teuta do të tentojë kualifikimin. Në fjalën e tij mbrojtësi tregon çfarë i duhet të bëjë ekipit të tij për t’ia dalë mbanë.

"Nisa të interesohem për të mësuar sa më shumë rreth kësaj skuadre. Nga ajo që pashë, Ventspils është një nga skuadrat më të mira në Letoni, e cila vitet e fundit ka bërë një paraqitje të mirë në arenën ndërkombëtare, ku thuajse në dy-tri raste e ka kaluar turin e parë. Është një ekip që luan një lojë fizike dhe ka në përbërje disa elemente mjaft decizivë. Mendoj se është një skuadër që duhet vlerësuar maksimalisht, por që duhet mundur.

Synimi ynë është që ta kalojmë me sukses këtë kundërshtar. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë, pasi përballë do kemi një ekip pak a shumë në nivelin e Teutës. Ne kemi mundësi reale për t’u kualifikuar dhe do bëjmë gjithçka të jetë e mundur për të kaluar në fazën tjetër të këtij kompeticioni. Ndeshjen e parë do ta luajmë në transfertë dhe do të përpiqemi të arrijmë kualifikimin që në këtë përballje.

Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm, pasi janë 180 minuta për t’u luajtur, fillimisht atje dhe më pas në Durrës. Mendoj se ekipi që kemi përballë ishte rivali më i mirë i mundshëm, duke parë që kishte emra më të mëdhenj dhe shumë më të vështirë", ka deklaruar Osmani rreth përballjes me Ventspils.