Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti ka përmbushur të gjitha kushtet që ta fitojë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë takimit të parë me shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022 dhe është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian u tha se Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.

Në takim mes Osmanit dhe Oravit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit, përfshirë ato të sigurisë, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Së fundi, Qeveria e Kosovës është përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare pas disa veprimeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Më 30 gusht, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe, që konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

Ky aksion u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar që e cilësuan si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

BE-ja tha se ky aksion “vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë në terren”./REL