Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar vitin 2023 si vitin më të vështirë për Kosovën sa i takon aspektit të sigurisë.
Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 15 dhjetor, Osmani ka thënë se Kosova më 24 shtator u përball me “situatën më të vështirë që nga pavarësimi”.
“[Sulmi i armatosur në] Banjskë ishte vetëm një paralajmërim se Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta”, ka deklaruar Osmani.
Gjatë fjalimit, i cili u bojkotua nga deputetët e partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), presidentja ka akuzuar Serbinë se qëllim ka destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar e mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim, jo vetëm i vendit tonë, por i gjithë rajonit”, është shprehur Osmani.
Ajo ka thënë se “Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.
Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.
Presidentja e Kosovës ka thënë se sulmi në Banjskë ka prekur padyshim edhe progresin në dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ky proces, sipas Osmanit, në vazhdimësi është duke u penguar nga, siç i quajti ajo, obstruksionet e shtetit të Serbisë kundër Kosovës.
Osmani ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për vendosjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës.
“Mungesa e balancit dhe qasjes së trajtimit të pabarabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova ende përballet me masa të padrejta dhe joproporcionale, të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj”, deklaroi Osmani.
Në të njëjtën kohë ishte kritike për mosvendosjen e masave të tilla edhe për shtetin e Serbisë, që, sipas saj, ka qëllim kryesor destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
“Në anën tjetër duke mosvendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq, ky shtet vetëm po inkurajohet të vazhdojë të përdorë dhunë”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani tha se “një trajtim i tillë i pabarabartë do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për progresin e këtij procesi”.
Duke iu referuar draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Osmani ka thënë se për këtë draft vlerësimin final duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Por, para se të ndodhë kjo, Osmani ka ftuar të gjitha partitë politike në Kosovë që të ulen së bashku dhe të shkruajnë komente të përbashkëta.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka folur edhe për mospajtimet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, duke thënë se mospajtimet mund të ndodhin, porse tha se besimi i ndërsjellë nuk duhet të vihet në pikëpyetje.
Në fjalimin vjetor të presidentes morën pjesë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. REL