Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është zotuar se nuk do të ndalet lufta për drejtësi, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.
Osmani ka thënë të mërkurën se dhunuesit menduan që përmes dhunës seksuale mund ta çnderojnë Kosovën, por “në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë të bëjnë një gjë të tillë”.
“Ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës”, ka thënë Osmani, duke iu drejtuar viktimave.
Ajo i ka bërë këto deklarata në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, të organizuar për 25-vjetorin e Qendrës Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Presidentja Osmani e ka falënderuar Qendrën për punën e bërë, dhe ka thënë se ajo ka shërbyer ndër vite si shtëpi e sigurt dhe vendstrehim për viktima të panumërta, që kanë gjetur mbështetjen dhe janë siguruar që mund të flasin para popullit të Kosovës dhe para botës, për atë që u ka ndodhur.
“Duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet. Padrejtësitë asnjëherë nuk duhet të kalojnë në heshtje, dhe drejtësia, e dimë të gjithë, nuk arrihet, pa i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra. Fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë të lufta për drejtësi”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vlerësuar lart viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke thënë se përkundur traumave të pashlyeshme, “të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të nisur jetë të re”.
Feride Rushiti, udhëheqëse e Qendrës, e ka përmendur periudhën e pas luftës dhe vështirësitë e mëdha.
“Periudha pas luftës ka qenë shumë e vështirë. Stigma që përjetonin gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, heshtja, turpi në familje, ishte shume e vështirë për t’u ballafaquar”, ka thënë ajo.
Vasfije Krasniqi – Goodman, gruaja e parë që ka treguar publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se duhet bërë më shumë për të mbijetuarat dhe ka kritikuar autoritetet e Kosovës për procedurat që kanë hartuar për të konfirmuar statusin e një viktime.
Ajo ka thënë se është e vështirë për viktimat që të dëshmojnë diçka që ka ndodhur 25 vjet më parë.
“Dikush të të thotë në fytyrë që ‘nuk je e mbijetuar’, edhe ai është një lloj përdhunimi, kur të mohohet”, ka thënë Krasniqi, e dërguar e posaçme e presidentes Osmani për të adresuar çështjet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Pjesë e konferencës ka qenë edhe, Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe.
Edhe ai ka thënë se duhet të ndalet mospranimi dhe përjashtimi i viktimave të dhunës seksuale prej shoqërisë, pasi diçka e tillë ritraumatizon viktimat.
“Viktimat nuk janë kurrë fajtore për krimet që kanë përjetuar” ka thënë Mukwege.
Ai i ka bërë thirrje shtetit të Kosovës që të përkujdeset për këtë kategori të personave, t’iu ofrojë mbrojtjen që dikur nuk ka mundur t’ua ofrojë, dhe që aty të përfshihet e drejta për drejtësi, për të vërtetën, dëmshpërblimet dhe garancitë për mospërsëritje të rasteve.
Marrja e statusit u siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime, si: lirimi nga tatimi në pronë, përparësi në punësim, shërbime shëndetësore, etj.
Në shenjë mbështetjeje për të mbijetuarit, Kosova ka shpallur 14 prillin si Ditë kombëtare të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.
Por, sipas të dhënave nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm gati 2.000 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, statusi u është aprovuar rreth 1.600 personave.
Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status – gjatë periudhës nga 27 shkurti i vitit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999 – bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.
Fillimisht, aplikuesve u kërkohet ta plotësojnë një formular dhe të grumbullojnë disa dokumente: raport mjekësor, raport psikologjik, raport juridik, deklaratë e dëshmitarit, fotografi që dëshmojnë lëndimet trupore, artikuj të gazetave…
Në rast se Komisioni dëshiron sqarime shtesë për aprovimin e kërkesës, atëherë aplikuesit i kërkohet të paraqitet personalisht para Komisionit./REL