DURRES, 12 prill 2013 – Një ndërhyrje në stacionin e pompimit të Fushë–Kuqes, nga ana e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë elektrike, do të lërë pa ujë të pijshëm për disa orë qytetin e Durrësit.
Ndërmarrja e Ujesjellës-Kanalizimeve Durrës njofton të gjithë qytetarët se më datë 15 prill nga ora 09.00- 12.00, si dhe më datë 19 prill nga ora 09.00-14.00 do të ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm për qytetin bregdetar për shkak të ndërhyrjes që do të kryhet në rrjet nga OST.
Sipas drejtorisë së ujësjellësit Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të energjisë elektrike po vazhdon remontet në linjat e energjisë dhe nënstacionet dhe për këtë shkak ka prezantuar hartën e re të remonteve në datat 15 deri më 19 prill.
Si pasojë e ndërhyrjeve në rrjetin elektrik do të ndërpritet furnizimi me energji në stacionin e Fushë-Kuqes, në oraret e përmendura më sipër.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





