Durrës, 1 prill 2014 – Ndërsa drejtoria e Teatrit Kombëtar e nxjerr në pension Mirush Kabashin, aktorin e shquar durrsak, ai vazhdon turneun në Kosovë. “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” është kali i betejës i Mirush Kabashit në skenat kosovare (ne foto Mirush Kabashi duke interpretuar para publikut kosovar).
Në kuadër të aktiviteteve të “Javës së frankofonisë “ në Kosovë, Kabashi i madh sjell dramën tashmë të suksesshme nga teatri i Durrësit në Toronto të Kanadasë edhe në skenat e Prishtinës e të Prizrenit.
Ibrahimi i Emanuel Shmidit ka një tingull tejet aktual në vazhdën e episodeve xhihadiste të kohëve të fundit në hapësirën panshqiptare në Ballkan. Mjeshtëria e aktorit veteran Mirush Kabashi (me origjinë të largët gjakovare) edhe kësaj rradhe korri duartrokitje deri në ovacion të publikut kosovar.
E veçanta e këtij turneu është, që burokracia shqiptare e nxjerr në pension Mirushin, ndërsa publiku kosovar e duartroket nxehtësisht lojën e tij aktoriale në skenat kosovare.
Njëkohësisht, ambasadat franceze në të dyja shtetet shqiptare e inkurajojnë dhe e admirojnë klasin e lartë aktorial të Mirush Kabashit. Shembulli i të madhit Sulejman Pitarka, që edhe pse mbi 80 vjec luante mrekullisht te pjesa “Pjata e drunjtë” në skenën e “Teatrit Kombëtar, siç duket do të ndiqet edhe nga Mirush Kabashi.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





