Aktori 15-vjeçar britanik Owen Cooper bëri histori të dielën kur fitoi çmimin Emmy për ‘Aktorin dytësor më të mirë’ në një Miniserial për rolin e tij në “Adolescence”. Cooper tashmë ka bërë histori, duke u bërë aktori më i ri që ka fituar ndonjëherë këtë çmim.

Cooper fitoi çmimin për rolin e tij si një student i akuzuar për vrasjen e një shoku klase. Miniseriali katër-orësh “Adolescence” nuk fitoi vetëm çmimin, por fitoi edhe çmimin për miniserialin më të mirë, si dhe çmime për regji, skenar dhe interpretimet e Stephen Graham dhe Erin Doherty.

Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, Cooper tha: Të qëndrosh këtu është thjesht, uau, kaq surreale. Kur fillova kurset e aktrimit disa vite më parë, as nuk e prisja të isha në Shtetet e Bashkuara, e lëre më këtu.

Duke luajtur rolin e Jamie Miller, aktori i ri shtoi: Mendoj se sonte vërtetohet se nëse dëgjon, nëse përqendrohesh dhe nëse del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish çdo gjë në jetë. Kujt i intereson nëse e turpëron veten? Çdo gjë është e mundur. Tre vjet më parë isha asgjë, tani jam këtu.

Me fitoren e tij, Owen Cooper theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Scott Jacoby, i cili ishte 16 vjeç kur fitoi një Emmy në vitin 1973 për “That Certain Summer”. Roxana Zahl mbetet fituesja më e re në kategorinë e aktrimit, pasi kishte fituar në moshën 14 vjeç në vitin 1984 për “Something About Amelia”.

Seriali “Adolescence” ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët dhe publiku për eksplorimin e ndikimit të telefonave inteligjentë dhe mediave sociale tek adoleshentët.