Mesut Ozil ka konfirmuar se është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar me efekt të menjëhershëm pas trajtimit që mori nga DFB. Sulmuesi i Arsenalit thotë se mënyra se si është trajtuar nga Federata Gjermane e Futbollit e bën atë që të mos veshë fanellën e kombëtares gjermane. Duke parë zhvillimet e fundit diçka e tillë ishte e pritshme.
Mesut Ozil nuk ishte më i mirëpritur te Gjermani dhe ai i ka dhënë fund me kombëtaren, ndërsa para pak minutash ka publikuar vendimin e marrë për të hequr dorë nga “Pancerat”. Ozil pohoi se ai ishte fajësuar për zhgënjimin e Gjermanisë në Kupën e Botës, ndërsa foli edhe për fotografin e realizuar në maj. Ozil u kritikua nga politikanët gjermanë, pasi u fotografua me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti i DFB Reinhard Grindel ishte fokusi i pjesës së tretë dhe përfundimtare të deklaratës, pasi Ozil goditi zyrtarin, duke thënë: "Unë nuk do të qëndroj më për të qenë një kokë turku për paaftësinë e tij dhe pamundësinë për të bërë punën e tij siç duhet".
Pas performancës katastrofike të Kupës së Botës në Gjermani, ku nuk arriti të dilte nga grupet dhe humbi si me Meksikën ashtu edhe me Korenë e Jugut, Ozil u kritikua rëndë nga mediat dhe nga DFB, ndërsa Grindel madje i kërkoi mesfushorit të bënte një deklaratë publike për takimin me Erdogan, duke vënë në pikëpyetje kredencialet e tij si një lojtar ndërkombëtar pas incidentit.
Ozil detajoi se si Grindel u përpoq të përfitonte nga takimi i tij me Erdogan, duke synuar ta përdorte atë si një mjet për të shprehur pikëpamjet e tij politike dhe për të shkatërruar personalitetin e Ozil në këtë proces. Ai gjithashtu akuzoi presidentin e DFB për racizëm, duke deklaruar se: "unë jam gjerman kur fitojmë, por unë jam një emigrant kur humbasim".





