Lojtarët e Arsenal kanë qenë pushim këtë fundjavë për shkak se ndeshja e tyre kundër Southampton është shtyrë sepse “Saints” kanë luajtur (dhe humbur) finalen e Kupës së Ligës kundër Manchester United.
Kështu, Arsene Wenger i ka lënë të lirë lojtarët e tij. Por njëri prej tyre ka vendosur t’i futet gjithsesi punës. Mesut Ozil, që i ka kërkuar klubit të rinovojë kontratën e tij me 250.000 sterlina në javë, ka përfituar nga pushimi i forcuar për të shkuar në Likya, “Kebab shop”-i i tij i preferuar në veri të Londrës.
Aty, mesfushori gjerman është një klient i rregullt, deri në atë pikë sa pronarët e kanë lejuar të provojë aftësitë e tij me thikën, mishin dhe përbërësit e tjerë, për t’i bërë vetes një panine të shijshme. E gjitha kjo ka ndodhur para syve të stafit dhe klientëve.
Natyrisht, kjo eksperiencë e Ozil është filmuar nga një trupë televizive që ka publikuar imazhet. Një reklamë e bukur për “fast food”-in e vogël, por tashmë të famshëm, të Londrës. Ndërsa, për lojtarin ka qenë një mënyrë simpatike për t’u argëtuar dhe për të argëtuar të tjerët, në pritje për t’u kthyer në fushë 4 marsin e ardhshëm kundër Liverpool.