Merkatoja prodhoi shumë transferime të futbollistëve, por një tjetër lëvizje jashtë kësaj natyre, që bëri bujë, është shkarkimi i maskotës së Arsenal nga puna. Xherri Kuai la “Emirates Stadium” pas 27 viteve për shkak se Arsenal e quajti të padobishëm mbajtjen e tij në punë, ndërkohë që stadiumet janë pa tifozë.

Ky gjest i klubit londinez ka nxitur Mesut Ozil të reagojë dhe të mendojë për njeriun që ndodhet brenda maskotës, i cili në fund të ditës ka nevojë për para. Kështu, ylli i skuadrës londineze ka shpërnadrë në “Twitter” një postim, ku shprehet se do i kërkojë Arsenalit ta rikthejë Xherrin në punë dhe pagën e tij do e paguajë fantazisti, sa të jetë pjesë e Arsenal.

“U mërzita shumë kur maskota jonë e famshme dhe besnike Xherri Kuai u pushua nga klubi pas 27 vitesh. U mërzita shumë dhe do t’i ofroj Arsenalit që t’i paguaj rrogën e tij të plotë deri në momentin që të jem pjesë e klubit. Xherri do të vazhdojë punën e tij, që e do shumë”, shkruan Ozil në rrjetet e tij sociale.