9 nëntor 2015 – “Maestro” i Arsenalit, Mesut Ozil ka shkruar emrin e tij në librat e rekordeve të Premier League-s, pasi u shndërrua në lojtarin e parë që ka dhënë gjashtë asiste për gol në gjashtë ndeshje radhazi në kampionat. Shumë pak veta mund ta kishin parashikuar që në derbin e sotëm ndaj Tottenham, Kieran Gibbs do të shënonte gol, por shumë nga tifozat e Arsenalit ishin të sigurt se në rast se do të shënohej gol, ideatori do të ishte sërish Mesut ozil. Fituesi i Kupës së Botës vazhdoi të konfirmonte formën e mirë që po kalon në kampionat duke ndihmuar “topçinjtë” të merrnin një pikë ndaj “spërsave”. Tottenham arriti të kalonte në avantazh me anë të Harry Kane, në pjesën e parë, por vendësit arritën të barazonin në minutën e 77-të kur Gibbs arriti të konvertonte në gol një tjetër pasim të shkëlqyer të Ozil.

Që nga viti 2008, Ozil ka regjistruar 94 asiste duke qenë në avantazh me pesë asiste ndaj më shumë se Leo Messi-t.

Cesc Fabregas ndodhet në vend të tretë të kësaj renditjeje, me 83 asiste. Cristiano Ronaldo është i katërti me 73 asiste. Organizatori 27-vjeçar ka edhe mesataren më të mirë të asisteve për ndeshje në Premier League, me një pasim për gol në 2.17 ndeshje.

Ozil ka vendosur tashmë edhe një rekord në historinë e kampionatit anglez: ai është lojtari i parë që arrin të japë asist në 6 ndeshje radhazi. Arsenali pësoi një humbje të thellë 5-1 në “Allianz Arena” në mesjavë. Më shumë se sa një paraqitje e dobët e Arsenalit, mund të thuhet se ishte një ndeshje e përkryer nga Bayern Munich. Para se ti shënonin pesë gola Arsenalit, gjatë këtij sezoni bavarezët kishin mposhtur në fushën e tyre 5-0 Hamburgun, Bayer Leverkusenin 3-0, Wolfsburgun 5-1, Dinamo Zagrebin 5-0, Borussia Dortmund 5-1 dhe Këlnin 4-0.

Pep Guardiola i shtoi edhe ‘një viktimë’ tjetër koleksionit të tij, dhe një ndër arsyet se pse arriti fitoren e bindshme ndaj “topçinjve” ishte dhe neutralizimi i Mesut Ozil. Trajneri spanjoll u sigurua që ndikimi i gjermanit të ishte në minimum, teksa Ozlil markohej gjatë të gjithë ndeshjes nga dy lojtarë të Bayrnit. Ozil nuk krijoi asnjë rast për shënim në Mynih, duke mos goditur edhe asnjëherë portën. I vetmi rast kur Ozil iu afrua portës së Neuer, ishte kur iu anulua një gol i shënuar me dorë.

Arsenali u rikthye nga ndeshja e Champions League, ‘me bishtin ndër shalë’, por pavarësisht kësaj ndeshjeje, statistikat tregojnë që Ozil është për momentin një nga futbollistët më kreativë në Europë. Me dhjetë asistet e tij, ai është lojtari që ka dhënë më shumë asiste, krahasuar me çdo futbollist tjetër nga pesë kampionatet kryesore në Europë.

/portali DurresLajm/