Nga Mentor Kikia
Ismail Kadare nuk bën pjesë tek ata njerëz që nuk u intereson se çfarë mendojnë apo flasin të tjerët për të. Për këtë arsye ai edhe reagoi pas publikimit të letrës së tij të prillit 1980, drejtuar Enver Hoxhës. Një përpjekje për të sqaruar rrethanat e kohës, arsyes së shkrimit dhe përmbajtjes së letrës. Fakti që në letër Kadare shkruante për të motrën se “është me probleme mendore, ndaj flet keq politikisht” dhe se për këtë arsye edhe i kishte kërkuar të mos i shkonte më në shtëpi, u konsiderua nga ata që janë të etur per të baltosur gjithçka e këdo në këtë vend, si tregues se Kadare ka qenë një servil i Enver Hoxhës. Dhe për këtë “bëri hasha edhe motrën e tij”. Por Kadare sqaron se ajo që i shkroi sundimtarit për të motrën ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar të motrën nga burgu, dhe padyshim dhe veten e të tjerë persona të familjes, që dihej si përfundonin atë kohë për të tilla gjëra.
Nuk është hera e parë që Kadaresë i drejtohet gishti si një nga përgjegjësit e diktaturës. Gjithë ky çerekshekulli ka qenë një betejë mes shkrimtarit, që herë pas herë ka bërë përpjekje të sforcuara për t’u shitur si disident, dhe atyre që e sulmojnë për çdo paudhësi të regjimit komunist. Dhe e bëjnë këtë njerëz me mend, që e njohin dikaturën, Kadarenë dhe letërsinë e tij. Sikundër e bëjnë edhe ata që nuk njohin as letërsinë, as Kadarenë. E bëjnë përgjegjës sepse nuk i doli hapur dikaturës, nuk i doli hapur Enver Hoxhës. E akuzojnë se ka qenë shkrimtari i preferuar i tij dhe për këtë arsye despoti e mbronte. E akuzojnë se i kishte dyert hapur në KQ etj etj.
Unë kam një pyetje: Çfarë mund të bënte Kadareja kundër diktaturës? Së pari, ai nuk ishte një prej fajtorëve, sepse ai ishte vetëm një shkrimtar dhe jo politikan. Së dyti, emri i tij nuk figuron askund si dëshmitar apo “ekspert” që ka çuar në dënimin e ndonjë shkrimtari. Së treti, nëse Kadare do të guxonte më shumë, duke denoncuar dikiturën dhe vetë Enver Hoxhën, diktatura dhe Hoxha nuk do të kishin pësuar asgjë. Ai thjesht do të kishte përfunduar në burg dhe sot Shqipëria nuk do ta kishte Kadarenë. Rrugëtimi i Kadaresë – shkrimtar në diktaturë i ngjan atij njeriut që ka zgjedhur që qenve që i dalin përpara, të mos i gjuajë me gurë, por t’u hedhë nga një kothere sa për ta lënë të ecë. Sepse misioni i tij nuk ishte të luftonte me qentë, por të shkonte në destinacionin e tij. Një mision prej Maratonomaku.
Detyra e Kadaresë ndaj shqiptarëve ishte të shkruante, dhe këtë ai e bëri në mënyrën më gjeniale. U bë shkrimtari më i madh i shqiptarëve. U bë një ndër shkrimtarët më të mëdhenj në botë. U bë njeriu më i njohur ndër shqiptarët në botë. U bë zëri më i dëgjueshëm dhe më serioz në sallonet e Perëndimit, në një kohë kur nga Shqipëria niseshin vetëm anije me refugjatë. U bë zëri më i fortë i denoncimit te genocidit serb në Kosovë dhe ishte ndër të paktët shqiptarë që i hapeshin dyert e i lexoheshin letrat në kancelaritë perëndimore.
Diktaturës nuk do t’i dhimbesj aspak ta sakrifikonte këtë njeri në galeritë e kromit. E kishte thjesht procedurë. Sepse nuk ishte hera e parë që shkrimtarë, artistë e shkencëtarë ishin transformuar në minatorë e bujq. Por sot Shqipëria do të ishte e mangët pa Kadarenë. Shoqëria jonë do të ishte e mangët nëse do të kishte një Kadare që priste të merrte këstin e radhës të dëmshpërblimit të burgut dhe jo Kadarenë që ka.
Është e turpshme që në një shoqëri që nuk ka dënuar asnjë ish-funksionar të diktaturës për krimet që kanë bërë, përjashtuar ca gjyqe qesharake që u bënë në fillim të viteve ‘90, ku argument kryesor ishte se ish-udhëheqësit kishin ngrënë mish 3 herë në javë, pra kjo shoqëri guxon të anatemojë një shkrimtar pse nuk ka luftuar diktaturën.
Padyshim që Kadare nuk ishte një shkrimtar disident. Por padyshim që ai nuk as asnjë grimë përgjegjësie për atë që ndodhi nën diktaturë. Ai thjesht diti të luajë me dikaturën për të shpëtuar kokën e tij nga një makineri vrastare, e për të vazhduar rrugën e krijimtarisë. Mua me vjen ndot që në këtë vend ka njerëz, të cilët kontributin e vetëm kanë statuset në rrjetet sociale, që hedhin baltë ndaj Kadaresë. Kadare nuk është thjesht një shkrimtar, por një aset kombëtar, për të cilin dekada më pas nuk do të ketë debate idiote nëse ishte me nënë greke apo baba sllav. Ai e ka pastruar edhe këtë livadh.
Është shqiptar 24 karat!