Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin antikanabis të koduar "Mbikalimi".

Një 25-vjeçar ka rënë në pranga pasi akuzohet për "Prodhim dhe shitjte të lëndëve narkotike" dhe "Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt".

NJOFTIMI I PLOTË

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në bashkëpunim me Forcat e Posaçme "Shqiponja", finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Mbikalimi", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-K.Ç., 25 vjeç, banues në fshatin Toç, Tepelenë.

Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve që disponoheshin për shtetasin K.Ç., se ai do të transportonte me automjetin e tij një sasi lënde narkotike Marjuanë për në Tiranë, në vendin e quajtur "Mbikalimi i Shkozetit", Durrës. 

Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij u gjetën rreth 42 kg e 260 gr lëndë narkotike e dyshuar Marjuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi ky shtetas nuk dispononte leje drejtimi.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" dhe "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.