Një 18-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga Policia e Shtetit teksa po transportonte 6 shtetas klandestinë.

Mësohet se i riu, u kap nga policia në aksin rrugor Çarçovë-Përmet, në afërsi të fshatit Munishtir, teksa drejtonte një mjet tip furgon të marrë me qira, pa leje drejtimi.

NJOFTIMI I POLICISË

Brenda një kohe të shkurtër është goditur edhe një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, kanë bërë arrestimin e shtetasit F. D., 18 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Çarçovë-Përmet, në afërsi të fshatit Munishtir, duke transportuar 6 shtetas të huaj me një mjet tip furgon të marrë me qira, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.