Zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli është pyetur sot në lidhje me një foto të saj në një aktivitet politik, ku u shfaq në një ambient të mbyllur, me më shumë se 10 persona ku disa prej tyre ishin pa maska.

Nga mbledhja e komitetit teknik të ekspertëve, Rakacolli tha se ai ishte një incident dhe se tani nuk ka më për të komentuar, sa kohë foto është shpërndarë në rrjet.

“Ajo ka qenë një incident i izoluar, situatë që ndodhi, e patë që aty nuk janë më shumë se 14 veta, e kam shpjeguar, është marrë jo gjatë takimit, por në fund të takimit, që ishin bërë takimet në orare të ndryshme, nuk diskutohet se përderisa aty ishte një foto, nuk mbetet më për tu shpjeguar. Kam reaguar menjëherë që atë ditë, kur e kam vënë re kam reaguar vetë pa dalë foto fare, por ka qenë moment i lëvizjes së orareve dhe njerëzve të rinj që vinin në takim.”

Gjithashtu zv ministrja është pyetur në lidhje me një aktivitet trajnimi që ka organizuar Ermal Mamaqi me të rinjtë, pamjet e të cilat kanë qarkulluar në rrjet dhe duket mos respektimi i distancimit social në ambient të mbyllur.

“Në dijeninë time policia ka vendosur gjoba”, tha Rakacolli.