Prej 15 tetorit, policia vijon kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së Covid-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Kështu, edhe Policia e Durrësit vijon kontrollet dhe gjobitjen e personave që kapen pa maskë mbrojtëse.
Mesditën e sotme, forcat e policisë kanë vendosur masë administrative ndaj një të riu i cili nuk mbante maskë ndërsa ecte në sheshin Liria.
Por i riu i gjobitur, nuk është i vetmi që nuk respekton një ndër masat që është parë si ndihmuese në parandalimin e Covid-19, janë edhe të qytetarë të moshave më të mëdha.
Ata nuk frikësohen as nga gjobat, as nga shifrat e larta të të infektuarve në qytetin bregdetar apo në mbarë vendin, as nga çmimet e larta të medikamenteve kuruese kundër një virusi të rrezikshëm që ka marrë jo pak jetë njerëzish deri më tani!
Një ditë më parë, në vendin tonë u regjistruan plot 563 raste të reja pozitive me koronavirus, duke e çuar në total numrin e rasteve avktive në Shqipëri në 12362, nga këto, 1037 janë në qarkun e Durrësit.
Nga fillimi i pandemisë në muajin mars, e deri më tani, ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 579 humbje jete për shkak të Covid-19.





