Teuta mori një humbje minimale përballë Laçit në shtëpi, duke humbur dhe një penallti në minutën e fundit. Pas sfidës, trajneri i durrsakëve, Bledi Shkëmbi nuk e fshehu zhgënjimin.

“Keqardhje. Para penalltisë humbëm një rast të pastër, me portën bosh, portieri ishte në tokë. Kishim mundësinë me penalltinë, nuk e shënuam. Duket që është moment i keq. Patjetër që duhet të ngrihemi nga ana psikologjike dhe duhet të kemi besim që të shënojmë dhe të fitojmë një ndeshje.

Unë mendoj se kjo gjë nuk na justifikon. Edhe ata lojtarë sulmues që kemi kanë cilësi. Nuk jemi keq në emra. Çdo gjë duket në fushë. Në momentet tona nuk arrijmë të shënojmë. Në situatën tonë po nuk shënove do të vuajmë psikologjikisht. Ne e pësojmë shpejtë dhe ky është ndryshimi.

Pësojmë shumë. Vetëm në tre ndeshje kemi pësuar 11 gola. mundohemi të riparojmë. Jo vetëm linjën e mbrojtjes, por të gjithë ekipin. Veç kësaj kishim dhe momente që e dorëzonim topin shpejtë. Skuadra humb besimin, humb ritmin.

Unë mendoj se shpirti është, edhe këmbët janë, sepse ekipi vrapon dhe i fiton duelet. Por qetësia para portës dhe mbrojtja jonë janë problemet që kemi”, u shpreh Shkëmbi.