Mesi i tetorit pritet të sjellë rritje të numrit të të prekurve nga Covid-19, kjo, shpjegojnë epidemiologët vjen si rezultat i fillimit të shkollave, pra transmetimit të virusit ndërmjet nxënësve dhe përcjelljes së tij në familje.
Shqetësimi është më i vogël te fëmijët e kopshteve dhe të çerdheve pasi transmetimi nga të vegjlit tek të rriturit është në nivel fare të ulët.
Dhe nga ana tjetër fëmijët e vegjël nuk manifestojnë simptoma të rënda për faktin se kanë bërë disa vaksina deri në moshën 5 vjeç dhe organizmi i tyre reagon menjëherë ndaj çdo virusi shpjegojnë mjekët. Kujdes të shtuar duhet të kenë të rriturit pasi me uljen e temperaturave edhe virusi bëhet me agresiv.
Sipas studimeve të kryera mbi virusin, një person i cili ka rënë në kontakt me Covid-19 por që ende nuk ka shfaqur simptoma mund të përhapë virusin deri në 48 orë më parë se të ketë temperaturë, kollë, marrje fryme apo simptoma të tjera që shkakton sars cov 2. Këtë e konfirmon edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti.
“Asimptomatiku mund ta transmetojë, sidomos dy-tre ditë përpara se të shfaqë simptomat, është gjithmonë më pak transmetues se simptomatiku, por nuk është zero. Ky fakt është edhe aleati më i mirë i këtij virusi, që një person që nuk ka asnjë shenjë në dukje të parë mund t’ia transmetojë edhe një tjetri”, thotë Alimehmeti në një intervistë për Top Channel.
Pasi shfaqen simptomat te një person i infektuar me Covid ai mund të vijojë të infektojë edhe 2 javë të tjera në vazhdim. Ndaj epidemiologët thonë se rritja e numrit të testimit zbulon asimptomatikët dhe frenon përhapjen por nga ana tjetër nuk duhet hequr vëmendja nga karantinimi si për rastet e dyshuara ashtu edhe për kontaktet e tyre.
Përdorimi i maskës sipas studimeve të kryera ka shumë rëndësi në ambiente të mbyllura pasi përllogaritet që nga një e tështitur spërklat mund të shkojnë deri në 7 metër, ndërsa kur kollitemi deri në 6 metër.