Pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha, Partia Agrare Ambientaliste është tërhequr sot nga ankimimi në Kolegjin Zgjedhor për shpalljen të pavlefshme të listave shumëemërore të kandidatëve për deputetë, duke ia lënë kështu në dorë 100% fatin e datës së zgjedhjeve marrëveshjes së arritur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ishte vetë kreu i PAA-së Agron Duka që konfirmoi lajmin, i cili u shpreh se dakordësimi i arritur një natë më parë mes kreut të maxhorancës dhe atij të opozitës e bën të pakuptimtë shqyrtimin e kërkesës në Kolegj, kur çështja e zgjedhjeve pritet të marrë një tjetër rrjedhë.

“Sapo u bë marrëveshja, vendimi e humb sensin sepse ne padinë e kishim pbërë për të shtyrë datën e zgjedhjeve, kur kjo bëhet me dakordësi, në një akord politik mendoj që nuk ia vlen më që të vazhdojmë ta ndjekim në rrugë juridike. Në këto kushte u tërhoqëm nga padia. E ka humbur sensin, nuk ka më logjikë. Derisa ka një marrëveshje që filloi me 10 kryetarë partish dhe pastaj përfundoi me dy kryesorë, nuk ka më sens që ne të vazhdojmë të padisim njëri-tjetrin. Për datën e zgjedhjeve nuk ka dijeni, besoj se nëse merret pikë për pikë zbatimi i paketës “McAllister” data do të jetë më 16 korrik, por mbetet për t’u parë.

Kolegji Zgjedhor ishte parashikuar të mblidhej sot për kërkesë-padinë.